Një 52-vjeçar italian u vra me thikë mbrëmjen e së shtunës në Borghesiana të Romës. Autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë, është një shqiptar, 46 vjeç. Sipas asaj që shkruan Corriere della Sera, të dhënat e para flasin për një ngjarje të ndodhur për shkaqe xhelozie.
Nazareno Paolo Teti mbeti i plagosur pak para orës 20:00, pasi u godit me thikë pas qafe nga shqiptari.
Autori, i cili dyshohet se ishte xheloz për shkak se viktima kishte një lidhje sentimentale me bashkëshorten e tij, u largua në këmbë nga vendngjarja, megjithatë ai u pa nga disa persona, për shkak se ngjarja e rëndë ndodhi jashtë një lokali të zonës.
52-vjeçari fillimisht mbeti i plagosur, ai u dërgua në spital ku dhe ndërroi jetë. Mes viktimës dhe autorit të dyshuar kishte pasur përplasje edhe në të shkuarën pikërisht për shkak të xhelozisë së shqiptarit.
Vrasja ndodhi në një kohë kur lokali ishte i mbushur me njerëz. Teti u godit me thikë ndërkohë që po përpiqej të ndizte makinën. Ai u zvarrit deri në hyrje të lokalit për të kërkuar ndihmë, por në atë moment ra pa ndjenja për shkak të hemorragjisë. Shqiptari u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar disa orë më pas./tvklan.al