Quhet Mensur Hyseni dhe mbi supe mban dy rekorde Guinnes, por po përgatitet dhe për një të tretë. Të dielën e 14 korrikut ai do të sfidojë veten, 41 vitet që mban mbi supe, duke tentuar të thyej rekordin e pompave me krahë të mbajtur nga ushtari special amerikan Tommy Vu.
Pas krahëve Mensuri në këtë çmenduri të fundit që i ka shkrepur në kokë, ka një ekip të vogël mbështetës të përbërë nga familja e tij e ngushtë: bashkëshortja dhe djali.
Për Versus.al, Mensuri ka treguar këtë të enjte detaje nga super sfida në të cilën ka vendosur veten.
(Stërvitja për cmimin e trete Guinness)
“Sfida do të jetë në mesditën e së dielës në Tetovë dhe unë do të tentoj që të thyej rekordin e rradhës në Pull Ups Burpess (një lloj ushtrimi i kombinuar mes pompave dhe krahpërkuljeve), ku brenda një ore më duhet të bëj 612 përsëritje.” – thotë Hyseni për Versus.al
Prej kohësh ai po stërvitet për këtë sfidë shterruese, stërvitet me orë të tëra, ndonjëherë edhe deri në 6 orë, derisa trupi i tij “ulëret” nga dhimbjet ekstreme, por jo shpirti i tij i mësuar me gara.
Jo pa krenari Mensur Hyseni numëron disa rekorde personale që ka vendosur gjatë stërvitjeve ekstreme.
“Gjatë viteve të fundit kam derdhur në palestër mbi 1700 litra djersë. Kam mbajtur në trup mbi 57 milion kilogram pesha të ngarkuara mbi nyjet e mia. Kam vrapuar mbi 2300 kilometra në 1728 orë stërvitje që kam berë që kur nuk e mbaj mend më” – thotë Mensur Hyseni për Versus.al.
Por 41 vjeçari veç ja shtyn kufirin vetes dhe sfidave ku e vendos trupin e tij.
“Shumë herë gjatë stërvitjes e kam prekur edhe pragun e vdekjes, duke regjistruar parametra si 107% frekuenca e zemrës, tensionin e gjakut e kam patur në nivelin 200/100, temperatura e trupit më ka arritur edhe deri në 42°C, ndërsa dehidrimin mbi 6% ne raport me masën trupore. Kam kapur ekstremet e stërvitjeve, duke humbur edhe deri në 5 kg brenda një seance shumë orëshe.
Por, ndërsa ai humbet kalori e peshë, dikush tjetër pas tij kujdeset prej vitesh për ushqyerjen e shëndetëshme të tij. Është bashkëshortja, gjysma e tij më e mirë Remzije Osmani.
“Pranë kam gjithmonë trajnieren dhe kuzhinieren nr. 1 në botë, e cila për asnjë moment nuk përton që të vijë më mua në palestër. Ka patur ditë ku për shkak të ngarkesës ditore kam qenë i detyruar që të shkoj në palestër që në 3-4 të mëngjesit dhe ime shoqe kurrë nuk më ka lënë vetëm, duke qenë gjithmonë pas meje. Falë saj, rrugën e kam patur më të lehtë dhe të mbarë e pse jo më të mundur për të rregjistruar dhe sukseset. Falë mbështetjes së saj, ja kam dalë edhe t’ja rinisi nga e para kur u detyrova pak vite më parë të lëmë Preshëvën dhe të rinisim jetën në Tetovë.
Sfida
Të dielën Mensur Hyseni do të tentojë që të thyej rekordin e mbajtur nga ushtari amerikan i quajtur Tommy Vu.
Ai është konsiderueshëm më i ri se 41 vjeçari shqiptar, i cili me shumë gjasa është i vetmi sportist në botë që në moshë të tillë synon rekorde edhe në sportin më të rëndë të Crossfitt. Tommy Vu, është i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vendosjen e të paktën 4 rekordeve Guinness.
Por, edhe Mensur Hyseni ka thyer deri tani dy rekorde Guinness. Në shkurt të vitit 2021 ai arriti të thyejë rekordin Guinness me 55 krahëpërkulje brenda një minute, me çantë mbi supe e cila rëndonte 27.28 kilogramë.
Ndërsa në korrik 2021, Mensuri hyri përsëri në Librin Guinness me 1.000 ekzekutime brenda një ore me çantë që peshonte 18.5 kilogramë. A do të arrijë ai të dielën të rrëmbejë çmimin e tretë Guinness?
Të shohim, e diela nuk është larg… Suksese kampion!