Shqiptarët, më të shqetësuarit në rajon për inteligjencën artificiale

Shqiptarët janë më të shqetësuarit në rajon për dëmet që mund të sjellë inteligjenca artificiale.

Një anketë e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal nxjerr në pah se 46% e të pyeturve në vendin tonë mendojnë se inteligjenca artificiale do ta dëmtojë ekonominë në 20 vitet e ardhshme.

Frika për humbjen e punës është një ndër faktorët që ndikon në këtë perceptim.

“Shqetësimi se teknologjia dhe inteligjenca artificiale do t’u zërë vendin e punës është shqetësim global, por ka rezultuar i tepruar. Në SHBA në të gjithë shkurtimet vetëm 1% ishin për shkak të zhvillimit të teknologjisë”, thotë Erald Pashaj.

Megjithatë në terma afatgjatë kjo situatë mund të ndryshojë.

“Inteligjenca artificiale do shkatërrojë disa vende pune, por do të krijojë disa të reja në të njëjtën kohë”, shtoi Erald Pashaj.

Në Shqipëri, një nga sektorët që mund të preket nga inteligjenca artificiale është ai i turizmit.

“Ndoshta jo në 2025 dhe 2026, por më pas në industrinë e shërbimeve dhe turizmit do të ndodhë që i gjithë procesi i pritjes së klientëve, procesi i hyrjes në hotel, daljes, mund të kryhet me anë të teknologjisë artificiale, kështu që nuk mund të themi që në të ardhmen e afërt ne nuk do të prekemi”.

Por, nga krahu tjetër, në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka përqindjen më të lartë të atyre që mendojnë se inteligjenca artificiale do ta ndihmojë ekonominë.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share