Shqiptarët e Luginës marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Serbi

Pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare nga komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës do të marrin pjesë në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Serbi, i cili do të mbahet në tetor.

Sali Salihi, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Bujanocit, tha për Radion Evropa e Lirë më 25 korrik se në Bujanoc është mbajtur takimi i përfaqësuesve të të gjitha partive politike shqiptare, të cilët kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët pjesëmarrjeje.

“Gjatë ditës do të publikojmë një deklaratë të përbashkët të partive politike për rëndësinë e pjesëmarrjes në regjistrim dhe do t’i ftojmë qytetarët që t’i përgjigjen thirrjes për t’u regjistruar”, tha Salihi.

Shqiptarët nga tri komunat në jug të Serbisë, ku jetojnë shumica e shqiptarëve, bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.

Siç thanë në atë kohë për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të nacionalitetit shqiptar në këto tri komuna, bojkoti ishte i domosdoshëm sepse formularët e regjistrimit ishin shtypur në cirilik në gjuhën serbe.

Si arsye shtesë, përfaqësuesit e atij komuniteti përmendën problemet e pazgjidhura dhe obligimet e paplotësuara të shtetit ndaj kësaj pjese të Serbisë.

Dhjetë vjet më vonë, Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë nga lista zgjedhore “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”, tha për Radion Evropa e Lirë se shpreson që këtë herë Serbia t’i dëgjojë kërkesat e tyre.

“Arsyeja jonë e bojkotit në vitin 2011 vinte si pasojë e mosdëshirës së shtetit për t’i dëgjuar kërkesat tona. Në këtë fazë fillestare ia lamë Këshillit Kombëtar të Pakicës Shqiptare të vendoste kontakte me Byronë e Statistikave dhe të binte dakord për kushtet”, tha Kamberi.

Regjistrimi është veçanërisht i rëndësishëm për pjesëtarët e bashkësive etnike, të cilat, sipas të dhënave të vitit 2011, janë më shumë se njëzet në Serbi. Ky regjistrim shërben si kornizë për përcaktimin e fushës së të drejtave që ata kanë.

Bosnje dhe Hercegovina, e cila ende qeveriset nga një strukturë e përcaktuar me Marrëveshjen e Dejtonit, 25 vjet më parë, ka arritur ta kryejë regjistrimin e popullsisë në vitin 2013.
LEXONI EDHE KËTË:
Në Ballkan, numërimi nuk është kurrë i lehtë si 1, 2, 3….
Sipas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare, në Serbi jetojnë rreth 60 mijë pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare, kryesisht në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në jug të Serbisë.

Regjistrimi i popullsisë në Serbi do të mbahet nga 1 deri më 31 tetor 2022 dhe pyetësorët elektronikë do të përdoren për herë të parë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share