SHQIPËRIA VOTOI – PS fiton shumicën e bashkive, vijon numërimi (Zhvillimet minutë pas minute)

-Vijon numërimi i votave pas votimeve për kryebashkiakë 1 ditë më parë.

 Për t’u njohur me rezultatet në kohë reale KLIKONI në linkun: https://zgjedhje2023.tvklan.al/

-Partia Socialiste kryeson në shumicën e bashkive.

-Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan pati votim dhe numërim elektronikFitues në të treja bashkitë rezultuan kandidatët e PS-së.



Ora 19:05 – PS shpall fitoren edhe në Malësinë e Madhe, Tonin Marinaj: Malësorët dinë ku ta çojnë votën

Partia Socialiste shpalli fitoren këtë të hënë edhe në Malësinë e Madhe. Kandidati i saj, Tonin Marinaj në një fjalë që mbajti në selinë e Partisë Socialiste u shpreh se Malësia e Madhe ka shërbyer që të shpërndajë vizionin e qeverisë edhe tek qytetarët e Shkodrës dhe Vaut të Dejës. Marinaj fitoi një mandat të tretë në krye të bashkisë së Malësisë së Madhe

“Pikë së pari unë ndihem tërësisht i gëzuar që Benet Beci shpallet me një rezultat spektakolar fitues në Shkodër. Njëkohësisht edhe Kristjanin në Vaun e Dejës. Unë jam për të tretën herë fitues, me këtë mandat bëhen 12 vite që jam kryetar i Bashkisë së Malësisë së Madhe. Mendoj që një shembull ka qenë Malësia e Madhe nëpërmjet vizionit të qeverisë që t’u shpërndahet kjo frymë që qytetarët e Shkodrës dhe Vaut të Dejës të kthjellohet dhe të shkojnë aty ku duhet, tek kandidatët e Partisë Socialiste. Dua të falenderoj kryeministrin që më ka besuar për herë të tretë”, u shpreh Marinaj.

“Së fundmi dua të falenderoj të gjithë malësorët që na mbështetën, na besuan dhe kuptohet që malësorët janë të zgjuar, e kuptojnë në çdo rast se ku duan ta çojnë votën dhe jam i bindur që Shkodra, Malësia e Madhe dhe Vau i Dejës do të jenë shumë gjatë pjesë e Partisë Socialiste”, tha më tej Marinaj.


Ora 19:05 – Emiriana Sako rikonfirmohet në krye të bashkisë së Durrësit

Edhe për 4 vitet e ardhshme, qyteti i Durrësit do të drejtohet nga Emiriana Sako.

Pikërisht nga ky qytet, gazetarja e Klan News Ermelinda Hoxhaj raporton se ka përfunduar numërimi i 342 kutive të votimit.

Kandidatja socialiste Emiriana Sako ka marrë 48 437 vota, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara mori 38 711 vota.

2465 vota rezultojnë të pavlefshme.


Ora 18:37 – Spiropali e bindur: Beneti do ta bëjë Shkodrën kryeqendrën e veriut!

Në një deklaratë për mediat, drejtuesja politike e PS për qarkun e Shkodrës, Elisa Spiropali vlerësoi fushatën e bërë në këto zgjedhje dhe shprehu bindjen se kryetari i sapozgjedhur i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, “do ta mbajë premtimin për ta bërë Shkodrën kryeqendrën e veriut, portën e Shqipërisë nga Europa dhe një perlë në rajon”.

“Ju përshëndesim shumë nga qarku fantastik i Shkodrës pas një fushate shumë të bukur, energjike, njerëzore, takimesh me të gjithë komunitetet. Në të gjithë qarkun është bërë një fushatë e jashtëzakonshme, e cila më ka mbresuar fort si drejtuese politike e qarkut Shkodër. Ka qenë nder për mua. Na ka prodhuar një kryetar të ri të bashkisë Shkodër, kryetarin e Vaut të Dejës, dhe kryetarin e Malësisë së Madhe. Sigurisht në Shkodër është bërë një fushatë e cila tejkalon çdo pritshmëri, me përulësi, me qasje të re ndaj bashkisë Shkodër, e cila jo sicc thonw disa ka rënë, në fakt Shkodra është ngritur dhe do të ngrihet në një nivel të ri zhvillimi turistik dhe ekonomik. Ne do t’i shërbejmë të gjithëve pa dallim dhe jam e sigurt që Beneti do ta mbajë premtimin për ta bërë Shkodrën kryeqendrën e veriut, portën e Shqipërisë nga Europa dhe një perlë në rajon”.


Ora 18:04 – Kryeson në Bashkinë e Durrësit, Emiriana Sako flet për Klan News: Besimin e madh do ta kthejmë në punë

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ka folur për Klan News teksa qëndronte në KZAZ, aty ku po numërohen kutitë e fundit të votimeve të 14 Majit. Sako falenderoi qytetarët për mbështetjen dhe tha se ky besim do të përkthehet në punë dhe angazhim për të realizuar premtimet që ka dhënë.

“Sot është momenti për të falenderuar qytetarët për besimin e madh për të vazhduar drejtimin e Durrësitedhe për 4 vitet e tjera. Për ne është një fitore e jashtëzakonshme, një besim i madh i cili patjetër që do të përkthehet në punë dhe angazhim për të realizuar ato premtime që i kemi dhënë qytetarëve gjatë kësaj kohe. Do të vijojmë menjëherë punën nga atje ku e kemi lënë sepse ishim në drejtimin e bashkisë. Puna ka dinamikën e vet, patjetër do të fillojmë që nesër për të vijuar edhe me ato projekte madhore që duam ti vëmë në jetë sa më parë.

Kemi vitin e 3 që jemi në zgjedhje. Ky vit ka qenë një situatë ku kemi pasur ngarkesë, ka pasur angazhim, por edhe nga PS ka qenë një punë në vijim në këto 3 vite. Rezultatet i prisnim. Ishim optimistë, tashmë konkretizohet me votëbesimin e qytetarëve”, tha Sako.

Sako udhëheq në garën e Durrësit me 44,039 vota ose 55.63%. Kundërshtari i saj, Igli Cara, ka marrë 15,131 vota ose 44.37%.


Ora 17:56 – Celibashi: Pjesëmarrja në zgjedhje 37.9 %

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat, tha se procesi i numërimit për kryetar ka përfunduar zyrtarisht në 44 bashki të vendit.

“Po jap listën e bashkive në të cilat ka përfunduar procesi i numërimit të votave: Bashkia Vlorë, Korçë, Berat, Lushnje, Maliq, Sarandë, Kuçovë, Vau Dejës, Cërrik, Patos, Devoll, Librazhd, Rrogozhinë, Dimal, Finiq, Peqin, Bulqizë, Mirditë, Selenicë, Gramsh, Belsh, Roskovec, Himarë, Përrenjas, Tropojë, Dropull, Has, Përmet, Memaliaj, Klos, Kolonjë, Delvinë, Skrapar, Poliçan, Tepelenë, Pukë, Konispol, Këlcyrë, Fushë Arrëz, Libohovë, Pustec, Kamëz, Elbasan dhe Vorë. Pra janë 44 bashki në të cilat ka përfunduar procesi i numërimit për kryetar”.

Bashkitë ku kanë mbetur nga një qendër votimi, sipas kryekomisionerit janë Divjaka dhe Shkodra. 2 qendra kanë mbetur në Lezhë dhe në Dibër. Sa i përket procesit të numërimit për Këshillat Bashkiakë, ai ka përfunduar në Elbasan, Kamëz, Vorë, Pustec dhe Libohovë. Për 2 qendra votimi është në Poliçan.

Në lidhje me pjesëmarrjen në këto zgjedhje, Celibashi tha se ajo është 37.9 përqind.

“Ne kemi 4835 qendra votimi për të cilat përqindja për këto qendra është 37.9 %, gjithmonë duke e bërë këtë raport me numrin total të zgjedhjeve të qendrave të votimit të cilat janë raportuar”.

I pyetur nga gazetarët sesi do të funksionojë procesi ankimimeve nga subjekte zgjedhore, Celibashi tha: “Shpresojmë që të përfundojë procesi i numërimit sot dhe të bëhet tabulimi i rezultateve dhe duke filluar nga dita e nesërme, çdo subjekt që ka pretendime ka të drejtën të paraqesë ankim në KQZ dhe KAS është organi që shqyrton ankesat në këtë rast”.


Ora 17:42 – Celibashi: Kemi kërkuar ndërhyrjen e policisë për garantimin e rendit në KZAZ-në e Kurbinit

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat, bëri një pasqyrim të procesit të numërimit të votave në bashkitë e vendit. Ai u ndal po ashtu edhe tek ndërprerja e procesit të numërimit në 2 qendra në Durrës dhe një në Kurbin. Për Durrësin Celibashi tha se ndërprerja është bërë për shkak të lodhjes, ndërsa në Kurbin, Celibashi tha se u vlerësua e nevojshme ndërhyrja e autoriteteve policore për garantimin e rendit. Aktualisht tha Celibashi situata në këtë KZAZ paraqitet e qetë.

“Kemi konsideruar situatën e krijuar edhe në KZAZ e Kurbinit dhe problematikat në këtë KZAZ. Kemi marrë vendimin për pezullimin e procesit deri në orën 16:00, por ende nuk ka filluar procesi i numërimit. Kemi komunikuar me strukturat ligjzbatuese për të siguruar në përputhje me Kodin Zgjedhor, rendin dhe sigurinë në ambientin dhe rreth vendit të numërimit të votave. Kemi kërkuar që të largohen nga këto ambiente të gjithë personat e tjerë me përjashtim të anëtarëve të komisionit zonal të administrimit zgjedhor, numëruesve, vëzhguesve të ndryshëm, përfaqësuesve të mediat dhe kandidatëve.”

Celibashi tha se urdhri i KQZ është përmbushur dhe rreth ambientit të vendit të numërimit nuk ka persona të tjerë përveç atyre që parashikon Kodi Zgjedhor.


Ora 17:48 – Kandidati i “BF” në Kamëz, Arjan Hoxha: Nuk e njoh rezultatin, do të kërkoj ripërsëritjen e zgjedhjeve

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Kamëz, Arjan Hoxha, ka reaguar në rrjetet sociale pas humbjes në garën e 14 Majit.

Në një deklaratë ai thotë se nuk e pranon rezultatin që doli pas votimit elektronik. Po ashtu, Hoxha thotë se do të kërkojë ripërsëritjen e zgjedhjeve dhe numërim manual të votës.

Gjithnjë sipas tij, votimi elektronik rezultoi një dështim dhe nga një garanci për votën e lirë u kthye në mekanizëm të manipulimit të saj.

“Të nderuar qytetarë të Kamzës. Nuk gjej fjalë të shpreh mirënjohjen për mbështetjen dhe besimin tuaj në garën që u mbyll mbrëmjen e kaluar. Falenderim nga zemra për secilin prej jush, që më hapi derën e zemrën, përgjatë javëve të fundit. Mirënjohje stafit tim, që nuk u lodh për asnjë moment, me besimin se të gjithë bashkë do të sillnim ndryshimin. Mirënjohje Partisë Demokratike që besoi te unë, me bindjen se projekti im dhe vota e qytetarëve të Kamzës do të kurorëzonin fitoren e parë menjëherë pas mbylljes së votimit.

Ne hymë në këtë garë me dëshirën për t’u dhënë qytetarëve të Kamzës pushtetin vendor që meritojnë, por u përballëm me një kundërshtar që nuk lë pa përdorur asnjë mekanizëm të paligjshëm për të manipuluar votën e lirë.  Presioni për votën, blerja e saj me paratë e taksapaguesve dhe përdorimi i administratës e shoqëruan fushatën e Rakip Sulit që nga dita e saj e parë. Kjo sepse kur ulesh në karrigen e kryetarit të bashkisë pa fituar një garë reale, kjo është e vetmja mënyrë që di për të marrë votën. Votimi elektronik rezultoi dje një dështim total, pasi qëllimisht pajisjet elektronike nuk u testuan paraprakisht në asnjë rast.

Kjo mënyrë votimi që duhej të ishte risi dhe garanci për votën e lirë u kthye në mekanizëm të manipulimit të saj. Rezultati i kësaj gare është një rezultat i programuar paraprakisht dhe nuk shpreh vullnetin e qytetarëve të Kamzës. Duke mos e pranuar këtë rezultat që ka deformuar në mënyrë skandaloze vullnetin e lirë të bashkëqytetarëve të mi, do të kërkoj ripërsëritjen e zgjedhjeve dhe numërimin manual të votës.  Unë hyra në këtë garë, pasi dola nga një garë reale brenda partisë time. Ndaj për mua vota është e shenjtë dhe nuk do të resht asnjëherë përpjekjet për ta mbrojtur votën e lirë si themeli mbi të cilin ngrihet demokracia”, shkruan Hoxha.


Ora 17:21 – PS merr edhe Gjirokastrën, flet pas fitores Flamur Golemi: Qytetarët folën, fushata ishte “fair play”

Ka përfunduar numërimi i votave edhe në Gjirokastër. Flamur Golemi i Partisë Socialiste ka marrë shumicën e votave dhe kësisoj do të jetë edhe për një mandat tjetër në krye të punëve të bashkisë.

Mësohet se ai mori 10 571 vota përkundrejt 4458 votave që mori kandidati i “BF”-së, Dorjan Lani.

Në një prononcim për mediat, Golemi tha se do të punojë për të gjithë qytetarët, si për ata që e votuan edhe për ata që nuk e votuan. Ai u shpreh se fushata ka qenë ‘fair play’ dhe është takuar në fund me kundërshtarin e tij ku i kanë uruar njëri-tjetrit suksese.

“Gjirokastra foli. Qytetarët gjirokastritë më 14 Maj folën në një proces shumë të qetë në fakt. Ka qenë e gjithë kjo periudhë zgjedhore, një periudhë zgjedhore ndryshe. Të marrësh votën dhe besimin e qytetarëve gjirokastritë është një përgjegjësi edhe unë besoj fort. Do punoj edhe më shumë se katër vitet që kaluam për ta kthyer këtë mbështetje me punë, përkushtim. Për ta bërë Gjirokastrën alternativë të parë për gjithë të rinjtë dhe të rejat e këtij qyteti.do punoj si për ata mbështetës që më votuan, absolutisht edhe më shumë për ata që zgjodhën të votonin kandidatin kundërshtar që për hir të së vërtetës kemi qenë në një fushatë “fair play” të dy palët dhe sikundër në fund të dy i uruam suksese njëri-tjetrit.

Jam i emocionuar se ti mund të punosh, por kur qytetari gjirokastrit të jep votën ndihesh mirë, por kjo është përgjegjësi shumë e madhe, dyfish përgjegjësi se katër vite më parë”, u shpreh Golemi.


Ora 17:06 – PS fiton edhe Pogradecin

Partia Socialiste ka triumfuar edhe në Bashkinë e Pogradecit.

Gazetarja Daniela Zisi ka mësuar se në fund të numërimit rezulton se Ilir Xhakolli ka marrë 17,996 vota. Ndërkohë që kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka marrë vetëm 8123 vota.

Me Bashkinë e Pogradecit mbyllet procesi i numërimit të votave për kandidat për kryetarë bashkie në të gjitha bashkitë e Qarkut të Korçës.


Ora 16:04 – Gazetarja Elja Zotka: Në orën 18:00 Benet Beci pritet të vijë në selinë e PS, nesër Rama niset drejt Islandës

Gazetarja e Tv Klan Elja Zotka raporton se sot pasdite në orën 18:00 pritet që kandidati socialist Benet Beci që fitoi zgjedhjet në Shkodër, të vijë në selinë e PS në Tiranë për të festuar këtë fitore.

Gazetarja Zotka ka mësuar gjithashtu se ditën e nesërme Kryeministri Edi Rama do të niset drejt Islandës për të marrë pjesë në një forum.

“Në orën 18:00, me shumë mundësi në selinë e PS do të vijë fituesi i garës së Shkodrës Benet Beci, por duke patur parasysh se sa shumë e ka kërkuar Kryeministri Edi Rama një fitore në Bashkinë e Shkodrës që socialistët nuk e kanë drejtuar asnjëherë në 32 vite, me shumë mundësi në krah të Benet Becit do të dalë dhe Edi Rama. Aq më tepër që ne mësojmë që z.Rama në cilësinë e Kryeministrit nesër do të niset për një vizitë në Islandë ku do të marrë pjesë në një forum dhe do të kthehet vetëm të mërkurën pasdite vonë kështu që besoj se nuk do ta shtyjë deri të enjten daljen e tij për të shpallur fitoren e PS në këto zgjedhje”, bëri të ditur gazetarja Elja Zotka.


Ora 15:58 – PS merr Bashkinë Divjakë, Josif Gorrea zgjidhet kryebashkiak

Në Bashkinë Divjakë, mandati i kryebashkiakut i është besuar kandidatit të PS-së, Josif Gorrea, i cili ka marrë 9309 vota.

Nga ana tjetër, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Aurel Malko ka marrë 6916 vota.

Josif Gorrea ka mandatin e parë si kryebashkiak.


Ora 15:50 – Qerim Ismailaj i PS fiton Bashkinë e Mallakastrës

Në Bashkinë e Mallakastrës është mbyllur votimi dhe fitues është shpallur kandidati i PS-së, Qerim Ismailaj.

Ismailaj ka fituar me një diferencë të vogël votash, rreth 300, përkundrejt kandidatit të PD-së të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, Agron Kapllanaj.

Ndërkohë, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Resmi Shanaj, ka marrë rreth 6% të votave në Bashkinë e Mallakastrës.


Ora 15:47 – Votim elektronik në 2025? Glover: Njerëzit duhet të trajnohen, nevojiten pajisje të posaçme

Shefja e Misionit Vëzhgues të OSBE ODIHR-it për këto zgjedhje lokale, Audrey Glover u shpreh se gjatë procesit u konstatua votimi familjar dhe manipulim ndaj votuesve.

“Po, vumë re votimin familjar në disa qendra votimi dhe kishte persona të cilët gjithashtu nuk dinin si të procedonin gjatë votimit. Pati disa zona ku në momente të caktuara, po bëheshin disa manipulime, pamë njerëz vërdallë qendrave të votimit, të cilit s’kishin asnjë punë aty. Po ashtu kishte pasur instanca më parë se njerëzit ishin aty për të bërë votime të caktuara.

Kuadri ligjor në këtë vend është i qartë dhe parashtron dispozitat përkatëse për të gjitha procedurat që duhet të ndiqen. Do ta shikojmë konkretisht se cilat çështje do të sillen pranë gjykatave nëse ka të tilla. Vumë re që kishte mjaft njerëz që ndihmuan njerëzit me aftësi të kufizuara, por nuk ndodhi gjithmonë kështu. Nuk kishte shumë femra të interesuara për të marrë pjesë në këto zgjedhje.

E pyetur dhe për rastin e Fredi Belerit i cili doli fitues në Himarë edhe pse ndodhet në ambientet e paraburgimit, Glover tha se do të priten procedurat ligjore.

“Në lidhje me çështjen, sigurisht që shpresojmë të zhvillohen procedurat ligjore dhe ato do të japin rezultatet, këtë dëshirojmë sigurisht.”

Ajo u ndal dhe tek votimi elektronik.

“E gjitha procedura e zgjedhjeve nuk ka përfunduar ende, jemi ende në pritje të rezultateve. Shpresa dhe qëllimi është që kudo të kemi votim elektronik, dhe në zgjedhjet e ardhshme sigurisht. Por, duhet të trajnohen njerëzit, të vihen në dispozicion pajisjet e posaçme. Në qendër të Elbasanit mesa di u zhvillua në kohë, në vende të tjera pati probleme.”


Ora 15:38 – PS kryeson në shumicën e bashkive, reagon Meta: Narkozgjedhjet e narkoshtetit

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar lidhur me rezultatin paraprak të zgjedhjeve të 14 Majit, ku PS kryeson në shumicën e bashkive të vendit. Në një postim në Facebook, kreu i PL-së, Meta i quan “zgjedhjet e narkoshtetit”.

Meta thotë se zgjedhjet vendore të 14 Majit në Shqipëri janë asgjësuar që pa filluar, ku jep edhe argumentat e tij. Në një postim të gjatë në rrjetin e tij social, Meta shkruan se këto zgjedhje sipas tij janë asgjësuar edhe ditën e zgjedhjeve.

Kreu i PL-së shton se shqiptarët kanë dhënë një mesazh të rëndësishëm guximi duke marrë pjesë në këto zgjedhje.


Ora 15:36 – Fitorja nga qelia e Fredi Belerit, reagon Mitsotakis: I lumtur, por shpresoj që aventura e tij të përfundojë

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis thotë se është i lumtur për fitoren e Fredi Belerit në Himarë.

Por ai kujton faktin që Beleri ndodhet në paraburgim dhe kërkon që kjo “aventurë e tij”, siç e konsideron, të përfundojë sa më parë.

“Jam i lumtur që Fredi Beleri u zgjodh kryetar i Bashkisë Himarë. Uroj dhe shpresoj që aventura e tij të përfubdojë shpejt. E përsëris, rruga e Shqipërisë drejt BE kalon përmes respektimit të të drejtave të pakicës kombëtare greke”, ka thënë Mitsotakis në një reagim në rrjetet sociale.


Ora 15:29 – Raporti paraprak për 14 Majin/ Dickson: Munguan debatet e vërteta dhe programet politike vendore

Në prezantimin e raportit paraprak të zgjedhjeve vendore të 14 Majit në vendin tonë, Steward Dickson ka theksuar se dy nga problematikat që janë ndeshur në këtë zgjedhje, kanë qenë mungesa e debateve të vërteta mes kandidatëve dhe programet politike.

Gjatë fjalës së tij, Dickson tha se shqetësim ka qenë edhe mungesa e përfaqësimit të femrave si kandidate dhe një mungesës aksesueshmërie në qendrat e votimit për personat me aftësi të kufizuar.

Steward Dickson “The Congress”: Ditë zgjedhjesh e qetë dhe transparente. Mbështetur në përvojën si vëzhgues, ekzistojnë disa shqetësime lidhur me Shqipërinë: Përfaqësimin e ulët të femrave si kandidate dhe një mungesë aksesueshmërie në qendrat e votimit për zgjedhësit me aftësi të kufizuara. Të gjitha këto kanë sjellë probleme të tjera dhe herë pas here kanë cënuar procesin e zgjedhjeve. Të adresohen si prioritetet. Na erdhi keq që disa çështje me interes zgjedhor u lanë në hije si rezultat i një fushate të polarizuar. Zgjedhjet vendore duhet të jenë një mjet për njerëzit që ata të vendosin se për kë duhet të votojnë. Ne jemi të shqetësuar se në fakt munguan debatet e vërteta dhe programet politike vendore. Delegacioni jonë inkurajon autoritetet lidhur me kandidatët e pavarur. Ne do të përgatisim disa rekomandime që do të paraqiten për miratim në sesionin e Stasburgut në Tetor. 


Ora 15:21 – Glover: Sulme të forta verbale nga liderët e partive

Audrey Glover: “Fushata filloi më 14 Prill dhe u dominua nga liderët e partive duke marrë pak në konsideratë interesin e zgjedhësve. 40% e votuesve potencialë jetojnë jashtë vendit.

Ka 92 KZAZ dhe 5212 KQV. Krijimi i këtyre komisioneve ishte problematike për shkak të mosplotësimit nga partitë.

Fushata ka qenë kryesisht paqësore megjithëse pati sulme të forta verbale nga liderët e partive të cilat shpesh ishin të rënda. Fushata ka qenë relativisht e qetë.

Kandidatët nuk kanë zhvilluar debate me njëri-tjetrin por kanë përdorur rrjetet sociale.

Lidhja e mediave me partitë kryesore politike shkakton ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë editoriale. Përdorimi i pamjeve të përgatitura nga partitë është shqetësuese sepse rezulton në reklama politike. Ka patur dhe sulme ndaj gazetarëve edhe shpifja ende është krim i dënueshëm. Media nuk ka bërë raportime për zgjedhjet.

Po studiojmë dhe votimin elektronik. Shqetësimi ynë më i madh është se deri në çfarë mase u është bërë presion të punësuarve në administratën publike”.


Ora 15:08 – Glover del me raport paraprak për 14 Majin: Përgjithësisht ditë paqësore, por pati ndërhyrje partiake

Shefja e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet vendore Audrey Glover ka dalë këtë të Hënë me një raport paraprak për 14 Majin 2023.

Në konferencë për mediat, Glover u shpreh se dita e zgjedhjeve lokale ishte përgjithësisht paqësore, por megjithatë pati ndërhyrje partiake dhe raste të votimit në grup.

Po ashtu, ajo theksoi se fenomeni i blerjes së votës dhe keqpërdorimi i burimeve publike mbeten shqetësuese.

“Ju falënderoj shumë me të vërtet për pjesëmarrjen tuaj këtu sot. Do të prezantojmë konkluzionet paraprake, unë jam këtu sëbashku me përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, më lejoni të filloj.

Zgjedhjet vendore të 14 Majit në përgjithësi u administruan mjaft mirë, ishin konkurruese dhe në to morën pjesë forcat kryesore politike. Por, procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm midis partive kryesore politike dhe një ndarje e thellë brenda opozitës. Kandidatët bënë fushatë lirisht, por rastet e keqpërdorimit të burimeve publike, pretendimet për presion te zgjedhësit si dhe pretendimet për blerje votash ishin shqetësuese.

KQZ bëri punë transparente dhe efikase, por pati zëvendësime të shpeshta të komisionerëve. Përdorimi i shpeshtë nga mediat i filmimeve të partive në programet e lajmeve, cenoi ndarjen e kohës gjithëpërfshirëse dhe objektive të transmetimit të fushatës. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht paqësore, por pati ndërhyrje partiake, probleme teknike, votim në grup dhe probleme me fshehtësinë e votës. Numërimi i votave u vlerësua pozitivisht. Së pari dua të them disa fjalë për misionin tonë. Janë zgjedhjet e 16-ta që ODIHR vëzhgon, me 14 ekspertë nga 12 shtete, që nga krijimi ne kemi pasur sektorin tonë të monitorimit të medias, partive, ambasadave dhe OJQ-ve. Një javë pas mbërritjes na u bashkuan 24 vëzhgues afatgjatë, pak para zgjedhjeve na u bashkuan dhe disa vëzhgues afatshkurtër”, u shpreh Glover.


Ora 14:39 – Humbi zgjedhjet, reagon Spahia: Çdo pushtet i dalë nga bota e krimit dhe paratë e pista nuk jeton gjatë

Kryebashkiaku në largim i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia ka reaguar lidhur me humbjen e tij në këto zgjedhje.

Përmes një postimi në Facebook, Spahia shkruan se çdo pushtet i dalë nga bota e krimit dhe paratë e pista nuk jeton gjatë, kurse shpirti i lirë i Shkodrës i ka rezistuar edhe kohërave më të errëta.

“Çdo pushtet i dalë nga bota e krimit dhe paratë e pista nuk jeton gjatë, ndërsa shpirti i lirë i Shkodrës i ka rezistuar edhe kohëve më të errëta. Mirënjohje për të gjithë qëndrestarët dhe ata që nuk bëjnë kompromis për lirinë.


Ora 13:55 – Në Vaun e Dejës fiton PS/ Hila i “BF” uron kundërshtarin politik, Shkrelin: Të shkoftë mbarë!

Kandidati i Partisë Socialiste, Kristjan Shkreli ka fituar Bashkinë e Vaut të Dejës me rreth 55% të votave.

Në garë ka qenë edhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ish-deputeti i PD-së dhe njëherësh ish-kryebashkiak i Vaut të Dejës, i cili ka marrë rreth 40% të votave.

I pranishëm në qendrën e votimit ku po numërohej kutia e fundit, kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Vaun e Dejës, Zef Hila, i ka dhënë dorën kundërshtarit të tij politik, Kristjan Shkrelit dhe e ka uruar për fitoren.

Zef Hila: Këtu është një garë e normalisht që dikush do të fitojë. Unë e uroj me gjithë shpirt. Fushata e numërimi shkoi shumë normal dhe normal që njëri do të fitojë. Të shkoftë mbarë!


Ora 13:53 – Celibashi: KQZ s’ka bërë më të mirën e mundshme, por atë që duhej

 

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka deklaruar sot për mediat se në këtë proces zgjedhor ai dhe stafi i KQZ-së kanë bërë punën që duhej, edhe pse jo më të mirën e mundshme.

“Unë jam krenar për punën dhe përkushtimin e bërë sepse e di shumë mirë që jo vetëm unë, por edhe pjesa dërrmuese e stafit kanë bërë atë që duhej, ndoshta jo më të mirën e mundshme. Ndonjëherë rezultatet nuk janë ato që pret, pastaj të tjerat nuk varen gjithmonë nga ne”, u shpreh ai.

Ai u pyet edhe për dyshimet që ekzistojnë për vërtetësinë e fletave të votimit në Vaun e Dejës. Celibashi tha se raste të tilla mbeten për t’u verifikuar.

Ato printohen nga një kompani jashtë territorit të Shqipërisë prej shumë vitesh, edhe kur kam qenë kryetar i KQZ në vitin 2006 atje janë printuar fletët e votimit. Mund të jetë dikush që ka prodhuar fletë të falsifikuara, mbetet për t’u verifikuar.  Nëse është e vërtetë që 3 fletë votimi janë të falsifikuara dhe duhet parë se sa e cenojnë procesin zgjedhor”, deklaroi kreu i KQZ-së.

Sa i takon rezultatit zgjedhor në Himarë, Celibashi u shpreh se situata juridiko-penale e Fredi Belerit nuk ka ndikim në proces.

“Ai është kandidat fitues, nëse nuk ka kontestime dhe do të konfirmohet ky rezultat, ai do të mandatohet si kryebashkiak. Situata juridiko-penale nuk ka të bëjë me procesi zgjedhor”, përfundoi Celibashi.


Ora 13:46 – Celibashi: Në Kavajë është pezulluar procesi i numërimit, konflikt mes anëtarëve të komisionit

Në një konferencë për mediat, kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka raportuar se procesi i numërimit tëvotave është bllokuar në Finiq, Malësi të Madhe, në Shijak dhe në 4 KZAZ  të Tiranës për shkak të lodhjes së anëtarëve të komisionit.

Ndërkohë, Celibashi shton se po ashtu është bllokuar dhe në Kavajë për shkak të një konflikti mes anëtarëve të komisionit.

Ilirjan Celibashi: Sipas informacioneve të marra ditën e djeshme, rreth orës 10:30 ka përfunduar dorëzimi i bazës materiale. 9 kuti voti janë deklaruar të parregullta. Në Librazh, patëm një problematikë me hedhjen e të dhënave të rezultatit të procesit të numërimit, patëm humbje kohe, 1 orë e pak. Numërimi ka përfunduar në 34 bashki të vendit.

Procesi i numërimit është bllokuar në Finiq, Malësi e Madhe dhe në Shijak dhe në 4 KZAZ të Tiranës. Në të gjitha këto KZAZ, pezullimi ka ardhur prej lodhjes së komisionerëve dhe anëtarëve të grupit të numërimit.  Është pezulluar dhe në Bashkinë e Kavajës për shkak të konfliktit që ka mes anëtarëve të komisonit. Përfaqësues të KQZ po merren me zgjidhjen e kësaj situate. Deri në orën 22:00 duhet të përfundojë procesit i numërimit për të gjitha KZAZ-të.

Në vlerësimin tim, procesi i numërimit është vëzhguar shumë mirë, më mirë se në zgjedhjet e 2021. Kemi thuajse aspak incidente të raportuara. Kemi vetëm një rast në Kavajë të cilën po e verifikojmë natyrën e konfliktit dhe në asnjë KZAZ tjetër nuk ka probleme në procesin e numërimit të fletëve të votimit. Deri më tani, pjesëmarrja më rezulton 37 për qind, por me saktë do të njoftohet në orën 22:00.


Ora 13:42 – PS fiton Bashkinë Dibër, Balluku: 4 me 0 në këtë qark

Bashkia e Dibrës është fituar nga kandidati i PS Rrahim Spahiu me mbi 67% të votave.

Belinda Balluku, drejtuese politike e PS në Qarkun Dibër, deklaroi se në këtë qark PS ka fituar 4 me 0.

4 me 0 Qarku i Dibrës, ky ka qenë edhe objektivi ynë. Qarku i Dibrës meriton që të ketë vëmendjen totale të PS dhe qeverisë shqiptare. Dua të falenderoj këtu nga Dibra të gjithë skuadrën e PS por jo vetëm pasi këto vota nuk janë vetëm të PS. Sot në Dibër janë bashkuar të majtë dhe të djathtë. Kjo është një votë plebishitare, popullore”, tha Belind Balluku.


Ora 13:34 – Vijon numërimi në Kukës, epërsi e lehtë e PS

Bashkia e Kukësit ka pasur një proces shumë të ngadaltë të numërimit të votave.

Sipas të dhënave të fundit nga KQZ, numërimi është kryer vetëm në 38 qendra votimi, nga 73 në total. Në epërsi të lehtë aktualisht është kandidati i Partisë Socialiste Safet Gjici me 48.71% të votave.

Ndërkohë kandidati i “Bashkë Fitojmë” Admir Sinamati ka marrë deri në orën 13:21, 41.94% të votave nga kuksianët. Vendin e tretë e zë kandidati Abedin Oruçi me 9.35% të votave.

Gazetari Merin Maçi ka raportuar nga qyteti i Kukësit, duke theksuar se ky proces i ngadaltë i numërimit vjen si pasojë e nisjes më të vonshme të procesit atje.


Ora 13:26 – Pjerin Ndreu flet pas fitores së Bashkisë Lezhë: Vlerësim për mua, rezultati na bën më të përgjegjshëm

Pjerin Ndreu e konsideron vlerësim nga banorët lezhjanë rezultatin e zgjedhjeve në Bashkinë e Lezhës, ku ai ka fituar me mbi 52% të votave duke u rikonfirmuar për një tjetër mandat.

Në mbyllje të numërimit, kandidati i PS ka deklaruar se ky rezultat do të thotë më shumë përgjegjësi dhe më shumë projekte për Lezhën.

Pjerin Ndreu“Është vlerësim që më jep komuniteti lezhjan dhe kemi dhënë mesazhe të drejtpërdrejta se ne dimë të punojmë, dimë të respektojmë njerëzit, dimë të zgjidhim problemet e komunitetit. Ky 4-vjeçar ka qenë shumë i ngarkuar për arsye të atyre që ne kemi thënë, për arsye të situatës që ne kemi gjetur bashkinë, në situatë të vështirë financiare. E kemi merituar këtë rezultat që morëm sot. Njerëzit e quajnë Lezhën çuditërisht bastion të djathtë, kjo është teori e gabuar tashmë. Njerëzit nuk kanë nerva të dëgjojë askënd se kujt partie i përket. Ne do t’i japim Lezhës atë energji që Lezha nuk e ka menduar kurrë. Ky rezultat na frymëzon realisht na bën që të ndihemi më të përgjegjshëm dhe më të kujdesshëm për të realizuar objektivat. Unë kam pritur fitore, kam menduar se do fitoj por nuk kam menduar ndonjëherë për ndonjë rezultat X. Mendoj se ka qenë një ndihmë edhe taktika e gabuar e kundërshtarit”.


Ora 13:19 – Procesi zgjedhor, Berisha: Hedh poshtë këtë farsë elektorale

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar këtë proces zgjedhor një farsë elektorale.

Përmes një deklarate për shtyp, ai akuzoi mazhorancën se ka manipuluar zgjedhjet në shumicën e bashkive.

Narko shteti i parë dhe i vetëm në Europë, industria e tmerrshme e blerjes së votës, bota e krimit dhe oligarkisë dhunuan si kurrë në historinë  e këtij vendi votën e shqiptarëve, janë të panumërta aktet, veprimet të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve narko-shteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës, të blerjes së saj dhe terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë.

Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, është një moment agonie, për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe, për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale e karakterizuar nga alfa te omega, nga krimi shtetëror dhe krimi ordiner“, u shpreh kryedemokrati.

Nga ana tjetër, ai u bëri thirrje komisionerëve të opozitës të vijojnë me detyrën e tyre në qendrat e votimit.

Jam këtu gjithashtu për të bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve të opozitës në komisionet e numërimit të vazhdojnë me detyrën e tyre, pasi është në parimin dhe qëndrimin tonë të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e votës.

Së fundmi, dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisioneri për faktin e vetëm që duan me çdo kusht të ndryshojnë rezultatin në këtë bashki. Shpreh solidaritetin tim me komisionarin dhe gjithë të tjerët që në këto kushte po përmbushin detyrën e tyre“, tha Berisha.


Ora 13:18 – Gëzim Topçiu i PS zgjidhet në krye të Bashkisë Maliq

Kandidati i PS-së dhe njëherësh kryebashkiaku Gëzim Topçiu është zgjedhur përsëri në krye të Bashkisë së Maliqit.

Qytetarët i kanë besuar Topçiut një mandate tjetër në krye të kësaj bashkie me 14 mijë e 577 vota.

Nga ana tjetër, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Alfred Gega ka marrë 6 mijë e 702 vota.

Bashkia e Maliqit ka në total 76 qendra votimi.


Ora 13:07 – Numërohen kutitë e fundit në Durrës, Sako kryeson me 30 mijë vota

Po numërohen kutitë e fundit në Durrës. Gazetarja Ermelinda Hoxhaj thotë se procesi i numërimit ka ecur me ritme të shpejta, ndërkohë që me rezultatet deri më tani, kandidatja e PS Emirjana Sako kryeson me 55.79% të votave.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka marrë deri në orën 13:00, ka siguruar 44.21% të votave të durrsakëve.

Ndërkohë, Në Krujë ka një fitore më të thellë të PS-së dhe pse janë ende dhe 29 kuti për t’u numëruar.


Ora 13:02 – Përfundon votimi në KZAZ-në nr.32 në Tiranë, PS forcë e parë

Në Tiranë vijon procesi i numërimit të votave në shumicën e KZAZ-ve. Ndërkohë në KZAZ-në numër 32 ka përfunduar dhe numërimi i kutisë së fundit të votimit. Gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj raporton se në këtë njësi fitues ka rezultuar kandidati i PS Erion Veliaj ka marrë 14836 vota.

Vendi i dytë i takon kandidatit të “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçit me 8542 vota.

Ndryshe nga sa pritej, forcë e tretë është Arlind Qorri me 1619 vota, pasuar nga Roland Bejko i PD-së zyrtare 1243 vota.

Gazetari raporton se në këtë njësi 1111 vota kanë rezultuar të pavlefshme ndërsa 28716 vota janë të vlefshme. Komisionerët dhe anëtarët e KZAZ-së kanë konstatuar se vetëm 7 vota janë hedhur gabim në kutinë e votimit.


Ora 13:00 – Pjerin Ndreu i PS fiton Bashkinë e Lezhës

Pjerin Ndreut të Partisë Socialiste i është besuar edhe një mandat i dytë në krye të Bashkisë së Lezhës.

Korrespondentja e Klan News, Vera Deda raporton se Ndreu ka fituar me rreth 1900 vota epërsi ndaj kundërshtarit të tij të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Pashk Gjoni.

Mbështetësit e Ndreut kanë festuar mes brohoritjesh rezultatin e kutisë së fundit.


Ora 12:46 – Benet Beci i PS merr Bashkinë e Shkodrës

Kandidati i PS-së, Benet Beci ka fituar Bashkinë e Shkodrës.

Qytetarët i kanë besuar kandidatit të PS-së, Becit drejtimin e kryeqendrës së veriut për 4 vitet e ardhshme.

Beci ka fituar me rreth 10 mijë vota epërsi ndaj kundërshtarit të tij të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia.

Benet Beci ka marrë mbi 60 për qind të votave në Bashkinë e Shkodrës.

Nga ana tjetër, Bardh Spahia ka marrë rreth 40 % të votave në Bashkinë e Shkodrës.


Ora 12:43 – PS fituese dhe në Kuçovë, Lefter Maliqi kundërshton rezultatin

Kreshnik Hajdari i Partisë Socialiste ka marrë fitoren në bashkinë e Kuçovës. Sipas të dhënave nga KQZ, Hajdari ka marrë 49.38% të votave kundrejt rivalit të tij politik në këtë garë Lefter Maliqi.

Ky i fundit ka marrë 45.28% të votave, ndërsa kandidati i tretë nga PD e Alibeajt Ilirjan Koxhaj ka siguruar 5.34% të votave.

Sipas gazetares së Klan News Anila Sefa, Maliqi e ka kundërshtuar këtë rezultat duke thënë se procesi zgjedhor është manipuluar. Ndërkohë në Divjakë paraqiten probleme me numërimin, pasi janë gjetur parregullsi të fletëve të votimit.


Ora 12:33 – PS merr fitoren në Tropojë, Byberi: Faleminderit me zemër!

Partia Socialiste ka garantuar fitoren e saj në bashkinë e Tropojës këtë të Hënë.

Kandidati socialist Rexhë Byberi ka marrë 51.25% të votave kundrejt  kandidatit të “Bashkë Fitojmë” Besnik Dushaj, i cili ka siguruar 48.75% të votave.

Për këtë bashki, ka pasur 38 kuti votimi në total. Byberi tashmë do e drejtojë këtë bashki për 4 vitet e ardhshme. Përmes një fotoje në Facebook-un e tij, ai shkruan: Faleminderit Tropojë me zemër!

Ndërkohë vijon numërimi i votave për bashkinë Kukës ku garojnë 3 kandidatë, ndërsa në Has fitorja i takon koalicionit opozitar, pasi procesi ka përfunduar.


Ora 12:31 – PS fiton në Bashkinë Patos, zgjidhet kryebashkiak Fation Duro

Ka përfunduar numërimi i votave në Bashkinë Patos, fitoren e të cilës e ka siguruar kandidati i PS-së, Fation Duro me më shumë se 5 mijë vota diferencë nga 2 kandidatët e tjerë të “BF” dhe “PD”.

Kandidati i PS-së, Fation Duro ka marrë 8 mijë e 211 vota duke siguruar mandatin në krye të kësaj bashkie për 4 vitet e ardhshme.

Kandidatja e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Sofie Alushaj ka marrë 2 mijë e 748 vota, ndërsa kandidatja e PD-së, Pranvera Rizaj ka marrë 766 vota.


Ora 12:06 – Benet Beci: Do ta bëjmë Shkodrën qendër të rajonit

Benet Beci kandidati i PS-së për Bashkinë e Shkodrës deri në këto momente kryeson me 29,234 vota ose 60.28% kundrejt kandidatit të koaliconit “Bashkë Fitojmë” për Shkodrën, Bardh Spahia i cili ka marrë 19,265 vota ose 39.72%.

Kandidati i PS-së, Beci është shfaqur në KZAZ-në Numër 2 në Shkodër ku dhe ka falenderuar komisionerët.

Duke mos preferuar që të zgjatet në deklarata, kandidati i PS-së, Beci premton se Shkodra, nën drejtimin e tij do të bëhet një qendër e rajonit.

Benet Beci: E jashtëzakonshme për Shkodrën. Atë që kemi thënë, do t’i fillojmë shumë shpejt. Do ta bëjmë Shkodrën qendër të rajonit për të cilin do të jemi krenarë. Kështu që faleminderit të gjithëve, shumë mirënjohje, fillojeni këtë proces me qetësi.

Deri më tani janë numëruar 212 qendra votimi nga 247 qendra votimi që ka në total Bashkia e Shkodrës.


Ora 12:05 – Edi Rama reagon për Shkodrën: “Krejt zemrën ma ke hangër”

 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Facebook për procesin e numërimit të votave në Shkodër, edhe pse nuk është mbyllur ende plotësisht.

Nadja e mir o Shkodër që krejt zemrën ma ke hangër”, ka shkruar Rama në Facebook.

Në Shkodër udhëheq me avantazh votash Benet Beci, kandidati i PS për këtë qytet.  


Ora 11:59 – Emirjana Sako kryeson në Durrës

Sipas rezultateve të deritanishme, Emirjana Sako e PS kryeson me votat për bashkinë Durrës.

Gazetarja e Klan News Ermelinda Hoxhaj raporton se Sako ka siguruar 56.49% të votave ose 26720 vota, ndërsa Igli Cara i “Bashkë Fitojmë” ka marrë 43.51% të votave ose 20593 vota.

Në total në këtë bashki janë 191 qendra votimi, ndërsa deri në orën 11:50 procesi i numërimit ka mbaruar në 151 prej tyre.

Ka një numër më të lartë të votuesve që kanë marrë pjesë këtë vit krahasuar me zgjedhjet e shkuara”, raportoi Hoxhaj. Në Krujë e Shijak, nuk raportohen problematika sa i takon procesit zgjedhor. Në të gjithë qarkun vijon numërimi i votave normalisht, ndërsa pritet që rreth mesnatës të ketë një rezultat final për këtë bashki.


Ora 11:51 – Ovacione e fishekzjarre në Mirditë pas fitores së “BF”

Pas fitores së koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, në Mirditë ka nisur festa me fishekzjare nga simpatizantët.

Klan News ka siguruar videot ku shihet entuziazmi i atyre që votën e tyre e hodhën në favor të kandidatit Albert Mëlyshi, i cili tashmë do ta drejtojë bashkinë e këti qyteti për 4 vitet e ardhshme.

Ky i fundit ka siguruar fitoren e tij kundrejt kandidatit socialist Ndrec Dedaj. Në total për këtë bashki kanë qenë 191 qendra votimi.


Ora 11:50 – Gara për Tiranën/ Deri më tani, Veliaj 30 mijë vota më shumë se Këlliçi

Kandidati i PS-së për Bashkinë Tiranë, Erion Veliaj deri në këto momente, kryeson me më shumë se 30 mijë vota përkundrejt kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi.

Gazetarja e Klan News, Klesiana Omeri raporton nga KQZ-ja të dhënat më të fundit përsa i takojnë Bashkisë së Tiranës.

Nga 940 qendra votimi në total, janë numëruar 549 dhe rezultati është si më poshtë:

Erion Veliaj “PS” 91 mijë e 50 vota – 54.36 %

Belind Këlliçi “BF” 58 mijë e 472 vota – 34,91 %

Roland Bejko “PD” 7 mijë e 173 vota –  4.28 %

Arlind Qori – “LB” 7 mijë e 966 vota – 4,76 %.


Ora 11:38 – Fredi Beleri reagon nga qelia: Demokracia fitoi, do të bëhemi akoma më të fortë

Fredi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ka reaguar nga paraburgimi pas fitores së Bashkisë së Himarës.

Në faqen e tij zytyare në Facebook është shkruar se sot kanë fituar qytetarët e Himarës.

“Demokracia fitoi! Himara fitoi! Mirënjohës për të gjithë ata që treguan burrëri. I mirëkuptoj të gjithë ata që terrorrizmi u mundua t’i nënshtrojë. Sot nuk ka humbës dhe fitues, janë të gjithë qytetarë të Himarës dhe unë Kryebashkiaku i tyre dhe si i pari mes të barabartëve do të do të përparojmë së bashku që të bëhemi akoma më të fortë në mbrojtje të demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut!”


Ora 11:37 – PS fituese në Devoll pas 30 vitesh! Maliqi pa surpriza

Partia Socialiste ka siguruar fitoren në Devoll pas 30 vitesh. Eduard Duro i PS-së ka marrë mandatin për të drejtuar këtë bashki për 4 vitet e ardhshme. Ndërkohë, sipas gazetares së Klan News Daniela Zisi, mbështetës dhe simpatizantë të mazhorancës janë grumbulluar para KZAZ-së për të festuar.

Zisi bën me dije se fillimisht ka pasur disa kuti  ku kandidati i “Bashkë Fitojmë” ka pasur një avantazh të lehtë, por kutitë e votimit në fshatra bënë diferencën e madhe të socialistëve.

Në avantazh drejt fitores është dhe kandidati i PS-së në Korçë, ndërkohë që në Pogradec procesi i numërimit të votave pritet të rifillojë në orën 14:00, kjo pasi komisionerët kanë kërkuar pushim.

Në Maliq nuk ka pasur surpriza, kryebashkiaku aktual Gëzim Topçiu është në avantazh me një numër të lartë votash me 67.16% ndaj Alfred Gegës i cili ka marrë vetëm 32.84% të votave.


Ora 11:10 – PS merr 5 bashki në qarkun Gjirokastër, “BF” fiton në Memaliaj

Në qarkun e Gjirokastrës ka përfunduar numërimi për 6 bashki, ndërkohë që për Bashkinë Gjirokastër vijon akoma numërimi.

Partia Socialiste ka fituar në 5 bashki të Gjirokastrës, konkretisht në Këlcyrë, Tepelenë, Libohovë, Dropull dhe Përmet.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka fituar në Bashkinë Memaliaj me kandidatin Albert Malaj.

Më poshtë, rezultatet për Bashkitë e Qarkut Gjirokastër:

Këlcyrë:

Klement Ndoni “PS” 2018 vota

Arjan Kasaj “BF” 1936 vota

Adriatik Spahiu “PD” 137 vota

Tepelenë:

Tërmet Peci “PS” 4088 vota

Baftjar Imeri “BF” 511 vota

Sokol Guga “PD” 346 vota

Libohovë:

Leonard Hide “PS” 1401 vota

Adil Xhelil “BF” 1234 vota

Dropull

Dhimitraq Toli “PS” 3709 vota

Thanas Maneka “BF” 679 vota

Kosta Garo “Nisma Thurje” 177 vota

Memaliaj

Gjolek Guci “PS” 2701

Albert Malaj “BF” 3014

Bashkia Përmet

Alma Hoxha “PS” 4416

Edmond Komino “BF” 1336

Bashkia Gjirokastër

25 kuti të numëruara në Gjirokastër nga 67, rezultati:

Flamur Golemi “PS” 4778 vota

Dorjan Lani “BF” 1470 vota


Ora 11:03 – Balluku: Kandidatja e PS fiton Bulqizën

Festime Mjeshtri, kandidatja e Partisë Socialiste në Bulqizë ka fituar zgjedhjet përballë kandidantit të “Bashkë Fitojmë” Dëfrim Fiku.

Belinda Balluku, drejtuesja politike e PS për Qarkun Dibër, ka thënë se Mjeshtri fitoi me mbi 60% të votave.

Sapo u përmbyll numërimi këtu në Bulqizë në një proces model ku funksionoi gjithçka siç duhej ndaj dhe e mbyllëm kaq shpejt. Ishte numërimi i 49 kutive, ku Festime Mjeshtri kandidatja e PS ka fituar me 60.1% bindshëm dhe për të thënë të drejtën unë ndihem shumë krenare pasi kjo ka qenë një nga bashkitë më sfiduese të qarkut të Dibrës edhe për shkak se duhej të kandidonte një femër në këtë rast edhe për shkak se fushata u nis pak vonë.

Megjithatë, këtu ka ndodhur një fenomen të cilin unë e përmend gjithmonë, këtu nuk flitet për një mbështetje nga simpatizantët e PS, por këtu kemi të bërë bashkë të gjithë qytetarët që besojnë që Festa është alternativa më e mirë që PS është zgjidhja për Bulqizën. Dhe unë jam e sigurt që Festa do të ndiejë përgjegjësinë për t’ju përgjigjur qytetarëve ashtu siç duhet si një drejtuese e vërtetë me vizion por edhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare”, tha ndër të tjera Belinda Balluku.


Ora 11:02 – Shifrat e fundit favorizojnë Pjerin Ndreun në Lezhë

Teksa në Mirditë, “Bashkë Fitojmë” ka siguruar fitoren, në Lezhë Pjerin Ndreu i PS-së është në avantazh kundrejt rivalit të tij politik Pashk Gjoni.

Sipas të dhënave të fundit nga KQZ, Pjerin Ndreu ka marrë 15526 vota, ndërsa kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” ka marrë 13611 vota.

Gazetari i Klan News Maksi Rama ka raportuar nga atje se janë ende dhe disa kuti për t’u numëruar.

KZAZ në Kurbin ka një proces më të ngadaltë të numërimit të votave, kryebashkiakja që garon për një mandat të dytë është në avantazh. Kjo bashki pritet të jetë e fundit për dhënien e rezultatit.  KZAZ nr. 12 ka përfunduar numërimin dhe është bërë një punë kolosale nga numëruesit pasi kanë qenë 3 njësitë më të mëdha të Lezhës”raportoi gazetari.


Ora 10:53 – Eduard Duro i PS-së fiton në Devoll, Peleshi: Fitorja më e bukur në Shqipëri

Bashkia e Devollit i është besuar për 4 vitet e ardhshme kandidatit të PS-së, Eduard Duro me 8376 vota. Ndërkohë, kandidati i koalicionit “BF”, Elvis Hajdërlli, ka marrë 8011 vota.

Pas fitores së Hajdërllit, banorët kanë dalë në festime.

Gjithashtu festimeve iu është bashkuar edhe drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Niko Peleshi, i cili ka dhënë një prononcim për mediat.

Para gazetarëve, Peleshi thotë se Devolli ishte një fitore e shkëlqyer pasi shprehet se ishte fitorja e njerëzve të punës e njerëzve të thjeshtë.

Peleshi shprehet se Devolli tregoi pas 30 vitesh se si ndërtohen gjëra të bukura për Devollin dhe se për këtë bashki do të hapet një faqe e re.

Niko Peleshi: Për të festuar fitoren më të bukur në Shqipëri. Devolli ishte një fitore e shkëlqyer sepse besuam dhe fituam. Ishte fitorja e njerëzve të punës, e njerëzve të thjeshtë, të cilët kanë pasur një etiketë të pamerituar si mbështetës jo të forcës progresiste, por e vërteta është se sot është fitorja e Devollit, sot Devolli pas 30 vitesh tregoi si ndërtohen gjëra të bukura mbi besimin. Shumë gra dhe vajza u bënë bashkë dhe i dhanë rrugën një faqe të re për Devollin.  


Ora 10:52 – Benet Beci në epërsi me diferencë të madhe votash në Shkodër

Benet Beci i Partisë Socialiste është në avantazh në Shkodër më një numër të konsiderueshëm votash. Gazetari i Klan News Enkel Xhangoli raportoi nga ky qytet, duke theksuar se diferenca në vota mes dy kandidatëve kryesorë për marrjen e drejtimit të bashkisë është e madhe.

Beci ka siguruar deri në këtë moment 25687 vota ose 59.96% të votuesve,  ndërsa Bardh Spahia i “Bashkë Fitojmë” ka 17213 vota ose 40.04%. Në Total janë 247 kuti, ndërsa deri në orën 10:50 të kësaj të Hëne janë numëruar 187 prej tyre.

Nuk janë numëruar ende kutitë e Velipojës, ku ndryshe nga zonat  e tjera njihet për mbështetje të lartë të socialistëve”, raportoi gazetari.


Ora 10:45 – Banorët e Himarës pas fitores së Belerit: Po nuk na pëlqeu edhe ky, do e dërgojmë në shtëpi

Banorët e Himarës kanë nisur festimet pas fitores së Fredi Belerit me diferencë të ngushtë votash me kandidatin e PS Jorgo Goro.

Banorët janë mbledhur në zyrën e shtabit elektoral të Fredi Belerit dhe Vangjel Dules.

Një banore ka thënë për mediat se sot është ditë feste për ta. Ajo tha se “do ta dërgojnë në shtëpi edhe Belerin nëse nuk ju pëlqen”.

“Jemi të gëzuar për këtë gjë që ndodhi. Fitoi ai që ishte më i zoti. Dhe ai tjetri djalë himarjot ishte. Punoi 12 vjet. Tani do e provojmë dhe këtë, në qoftë se s’na bën e dërgojmë në shtëpi edhe këtë. Neve jemi të gëzuar për këtë që na ndodhi sot. E deshëm e votuam edhe jemi të gëzuar”.


Ora 10:41 – “Bashkë Fitojmë” garanton fitoren në Mirditë

Albert Mëlyshi nga koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” ka siguruar fitoren e tij në Durrës kundrejt kandidatit socialist Ndrec Dedaj.

Janë numëruar 48 kuti votimi në këtë bashki, ku Mëlyshi ka kryesuar me thuajse 52.5% të votave ndërsa Dedaj morri 47.5% të votave.


Ora 10:33 – Eriselda Sefa e PS merr fitoren në Lushnje

Partia Socialiste ka siguruar fitoren në Lushnje. Gazetarja e Klan News Anila Sefa bën me dije se Eriselda Sefa e mazhorancës ka marrë mandatin për herë të parë si kryebashkiake.

Sefa ka marrë 22382 vota, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Eduard Sharka ka siguruar 13356 vota. Kandidatja e PS-së ka fituar me një diferencë prej 9024 votash.

Kjo e fundit ishte kryetare aktuale zëvëndësuese e Fatos Tushes i cili prej një viti ndodhet në burg.


Ora 10:19 – Fitorja e Belerit/ Dule: Triumf. Me lirimin nga Gjykata do të jetë në krye të Bashkisë Himarë

Fredi Beleri i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka fituar mandatin për të drejtuar Himarën për 4 vitet e ardhshme.

Pas rezultatit, Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule ka dhënë një prononcim për mediat, ku ka thënë se kjo nuk është një fitore, por një triumf dhe se Beleri shumë shpejt do të jetë në krye të Bashkisë Himarë pasi të lirohet.

Vangjel Dule: Nuk është fitore, është një triumf. E dinim dhe e prisnim. Për një moment u duk para një furtune të paprecedentë. Populli i Himarës foli, triumf për Belerin. Një faqe e re po hapet për Himarën. Beleri do të jetë shumë shpejt në krye të detyrave të veta. Populli e liroi, me lirimin nga Gjykata do të jetë në krye të bashkisë. E mori vesh lajmin.

Ndërkohë në një tjetër deklaratë për mediat jashtë ambienteve të KZAZ, Vangjel Dule tha se me fitoren e Fredi Belerit është hapur një faqe e re për Himarën.

“U gjendëm në një situatë të paimagjinueshme ndonjëherë. Asnjëherë me rastin ekstrem rë arrestimit pa arsye dhe pa fakte dhe prova të kandidatit në zgjedhje. Por është ajo që thotë se kur flet populli nuk mund ta pengojë askush, është një fitore shumë e madhe për ne, është triumf për z.Beleri, është faqe e re për Himarën. Bashkia e Himarës do të jetë një model i ri dhe ju garantoj se sot këtu në Himarë u thye autokracia e Himarës”.

Sipas Dules, Beleri ka fituar me diferencë të ngushtë votash ndaj Jorgo Goros.

“Nuk e di numrin e saktë, duhet të jetë diçka rreth 30 vota”.

Edhe pse në paraburgim, Vangjel Dule thotë se Fredi Beleri do të lirohet nga gjykata pasi ndaj tij nuk ka asnjë provë.

“Nuk duhet të bëjmë hipoteza, por mos kini asnjë mendim se nuk do të jetë në krye të punëve. Është mendimi i avokatit të tij, juristëve të cilët pasi kanë parë dosjen janë mëse të sigurt se nuk ka asnjë fakt asnjë provë. Ishte një sajesë nga vetë Kryeministri e cila do të rrëzohet, por shumë shpejt e vërteta do vihet në vend”.


Ora 10:13 – 2 kuti për t’u numëruar, socialistët nisin festën e fitores në Devoll

Në Devoll po numërohen dy kutitë e fundit të votimit ndërsa socialistët po festojnë fitoren pasi kandidati i PS Eduard Duro është në avantazh me thuajse 500 vota kundrejt rivalit të tij kryesor politik Elvis Hajdërlli nga “Bashkë Fitojmë”.

Klan News ka siguruar pamjet ku përkrahësit e mazhorancës shihen duke festuar.

Në garë për këtë bashki ku 33724 qytetarë kanë të drejtë vote, ishin kryebashkiaku aktual Eduard Duro përfaqësues i PS, Elvis Hajdërlli që garon nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe kandidati i pavarur Çlirim Hoxha.

Në proceset zgjedhore të tri dekadave të fundit, në Devoll ka dominuar Partia Demokratike por në zgjedhjet e 2019 drejtimin e kësaj bashkie e mori pa garë për shkak të bojkotit të PD, kandidati i PS Eduard Duro.


Ora 10:07 – Fredi Beleri i koalicionit “BF” fiton Bashkinë e Himarës

Fredi Beleri, kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, ka fituar me diferencë të ngushtë votash Bashkinë e Himarës.

Kujtojmë se Fredi Beleri ndodhet në paraburgim pasi u arrestua për korrupsion aktiv në zgjedhje për blerje votash.

Ndërkohë, mbështetësit e Fredi Belerit kanë nisur festën.

Procesi i numërimit të votave është ndjekur nga afër edhe nga kandidati i PS, Jorgo Goro, si dhe nga Vangjel Dule, partia e të cilit është në koalicionin “Bashkë Fitojmë”.


Ora 09:47 – Numërohen votat e fundit në Himarë

Teksa diferenca mes kandidatit të PS-së, Jorgo Goro dhe atij të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri, diferenca mes tyre duket shumë e ngushtë me një diferencë prej 24 votash në favor të Belerit.

Glidona Daci: Është kutia e fundit që është hapur dhe ka nisur procesi i numërimit të votave, është qendra e fundit që ka marrë në dorë kutinë e fundit. Do të jetë kutia e fshatit Kudhës, e cila do të përcaktojë se kush do ta drejtojë Himarën për 4 vitet. Kryeson Beleri me 24 vota kundrejt kandidatit të PS-së, Goro.


Ora 09:46 – Në Gjirokastër udhëheq me shumicë votash kandidati i PS

Në Bashkinë e Gjirokastrës udhëheq bindshëm kandidati i PS Flamur Golemi, i cili është kryebashkiaku në detyrë.

Në krahasim me rivalin e tij të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Dorjan Lani, kandidati socialist udhëheq me mbi 50% të votave. Teksa ka ende kuti për t’u numëruar.


Ora 09:19 – Qetësi në selinë rozë, Elja Zotka: Pas rezultatit zyrtar, priten deklarata

Teksa deri në këto momente, mazhoranca kryeson në shumicën e bashkive kundrejt koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, situata në selinë rozë paraqitet e qetë.

Gazetarja Elia Zotka raporton se Kryeministri i vendit Edi Rama nuk ndodhet në seli, ndërsa stoik që prej mesditës së djeshme ka qëndruar kryebashkiaku aktual i Tiranës Erion Veliaj.

Ky i fundit, pak më parë ka marrë lajmin e fitores në Rrogozhinë. Në avantazh deri në këtë orë janë socialistët në kryeqytet, megjtihatë pritet të përfundojë numërimi në shumë qendra votimi të bashkisë Tiranë dhe Kavajë.

Zotka bën me dije se ende nuk ka një reagim të dytë nga PS sa i takon punës së KQZ-së në këtë proces zgjedhor.

“Fitorja i fashit të gjitha pakënaqësitë, nuk ka pasur reagime të tjera. Mbase një analizë bëhet pas shpalljes së rezultateve, por përsa i përket numërimit nuk ka deri tani ndonjë akuzë nga PS”, raportoi gazetarja.

Pas rezultatit zyrtar, priten deklarata nga selia rozë.


Ora 09:18 – Gazetarja Mitro: Ka heshtje, qetësi shumë të madhe në selinë e PD-së

Në selinë e PD-së ka heshtje mëngjesin e sotëm e madje as kryedemokrati Sali Berisha nuk ka mbërritur akoma në selinë blu.

Gazetarja e Tv Klan, Jolldiz Mitro raporton nga selia e PD-së, teksa thotë se rezultati i deritanishëm për kryesimin e PS-së në shumicën e bashkive të vendit ka tejkaluar pritshmëritë e tyre.

Jolldiz Mitro: Ka një heshtje, një qetësi shumë të madhe në selinë e PD-së, madje as Berisha nuk ka mbërritur. Deri në orët e para të mëngjesit ka qëndruar shtabi këtu. Edhe rezultati ka tejkaluar pritshmëritë që kishin demokratët për të marrë të paktën 20 bashki në këto zgjedhje. Pritet të ketë dalje në selinë e PD-së. Berisha do të ketë dalje të herëpashershme gjatë ditës së sotme.


Ora 09:00 – Tensionohet situata në Himarë, numërohen kutitë e fundit

Kandidati i koaliconit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, kryeson me 2392 vota ose 49.27%. Nga ana tjetër, kandidati i PS-së, Jorgo Goro ka 2392 vota ose 49.27%.

Këto janë të dhënat më të fundit, që vijnë pasi janë numëruar 22 qendra votimi nga 36 që ka në total kjo bashki.

Më herët, është ndërprerë procesi i numërimit dhe simpatizantë të Fredi Belerit janë mbledhur nga ana e pasme e stadiumit duke qëndruar në pjesën ku po zhvillohet procesi i votimit.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se në momentet e para ata kanë filluar të festojnë sepse në kutitë që kanë mbetur ata pretendojnë se janë kuti të bastionit të fundit dhe ata po pretendonin fitoren, ndërkohë që ka pasur një tensionim të situatës për faktin se numëruesit e PS-së kërkuan kohë dhe kërkuan pushim dhe ka pasur diskutime mes të gjitha palëve.

Sekretari i kësaj KZAZ-je që është i koalcionit “BF” dhe ka komunikuar herë pas here me kryebashkiakun aktual, Jorgo Goro ku kanë kërkuar numërimin e e votave.

Megjithatë, procesi i numërimit të votave ka nisur normalisht.


08:59 – Gjici në avantazh në Kukës, PS fituese në Tropojë. “Bashkë Fitojmë” merr Hasin

Në bashkinë e Kukësit numërimi i votave ka nisur në orën 23:00, për shkak të numrit të lartë të qendrave të votimit.

Deri më tani, sipas të dhënave që gazetari Merin Maçi posedon në epërsi është kandidati i PS Safet Gjici me 693 vota më shumë se kandidati i koalicionit opozitar Admir Sinamati. Megjithatë ky rezultat pritet të ndryshojë pasi, janë ende dhe 52 kuti votimi për t’u numëruar.

“Në bashkinë e Kukësit vijon numërimi ndërkohë që tashmë po bëhet auditivi i të dhënave për 25 kutitë, përllogaritjet deri në këtë moment janë në favor të Safet Gjicës, Admir Sinamati ka marrë 2637 vota dhe Abedin Oruçi ka siguruar 581 vota. Zoti Gjici duket se ka një epërsi momentale me 639 vota, por janë për t’u numëruar dhe kutitë e tjera”, raportoi Maçi.

Në Tropojë, numërimi i 38 qendrave të votimit ka përfunduar dhe në detyrë si kryebashkiak për një tjetër mandat konfirmohet kandidati i PS-së. Ndërsa në Has, “Bashkë Fitojmë” ka garantuar fitoren me kandidatin Miftar Dauti me një avantazh prej 932 votash.


Ora 08:56 – Veliaj shpall fitoren në Rrogozhinë

Përmes një postimi në rrjete sociale, Erion Veliaj ka shpallur fitoren e kandidatit të PS në Rrogozhinë, Edison Memola.

“Rrogozhina është fitorja jonë e tretë në Qarkun e Tiranës. Fituam me nje grusht votash, por Edisoni do t’i shërbejë me dashuri e përkushtim 100% të qytetarëve të saj, siç ka bërë çdo ditë deri më sot.

Bravo atij dhe skuadrës, punë të mbarë nga sot për t’a çuar Rrogozhinën gjithnjë e më përpara. Përulësi e mirënjohje të jashtëzakonshme për qytetarët, që i dhanë sërish besimin e madh Partisë Socialiste”, shkruan Veliaj.


Ora 08:38 – Gara për Shkodrën, kryeson kandidati i PS Benet Beci

Sipas të dhënave të fundit nga KQZ, Kandidati i Partisë Socialiste, Benet Beci kryeson me 14 366 vota, e përkthyer në përqindje me 59.88%.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku dhe njëherësh kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Shkodër, Bardh Spahia qëndron pas me 9 624 vota, e përkthyer në përqindje 40.12%.

Këto janë të dhëna të procesit të numërimit në 108 qendra votimi në 247 që ka në total Bashkia e Shkodrës.


Ora 08:36 – Socialistët fitues në Elbasan, diferencë e thellë e rezultatesh edhe në këshillin bashkiak

Në Elbasan është shpallur fitues kandidati i Partisë Socialiste Gledian Llatja me afërsisht 56% të votave kundrejt 44% të votave që mori rivali i tij politik Luciano Boçi.

Gazetari i Klan News Fatos Salliu bëri me dije se procesi i numërimit në këtë qark ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit dhe ka qenë i qetë. Një diferencë e thellë në rezultate vihet re dhe në këshillin bashkiak, ku mazhoranca ka marrë 28 mandate, “Bashkë Fitojmë” 13 mandate, PD e Alibeajt 7 mandate, PDIU 1 mandat.

Ka përfunduar procesi i numërimit dhe në Librazhd, Mariglen Visha i PS ka arritur të grumbullojë 10363  vota ose 74.4%, ndërkohë që kandidati i koalicionit opozitar ka marrë 25.6% të totalit të votave.

Në Cërrik  ka siguruar fitoren Andi Salla i Partisë Socialiste. Në Gramsh raporton gazetari, ka marrë shumicën e votave Besim Ajazi i mazhorancës e po ashtu fitorja e socialistëve është siguruar edhe  në Përrenjas. Në Belsh, deri më tani në avantazh është kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”

Në të gjitha bashkitë, procesi i numërimit ka qenë i qetë. Në bashkinë e Librazhdit procesi ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit, aktualisht komisionerët po bëjnë pushim dhe numërimi do rifillojë në orën 10”, raportoi Salliu.


Ora 08:22 – Përfundon numërimi i votave në Bashkinë Roskovec, fiton Majlinda Bufi

Në Bashkinë e Roskovecit ka përfunduar numërimi i votave. Në bazë të rezultateve, ka fituar Majlinda Bufi kryebashkiakja aktuale, me diferencë prej 579 votash me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Erdit Harizaj.


Ora 08:10 – Diferencë e ngushtë votash në Himarë mes 2 kandidatëve Jorgo Goro dhe Fredi Beleri

Në Himarë vijon numërimi i votave dhe nga rezultatet e deritanishme, diferenca mes dy kandidatëve është e ngushtë. Kryebashkiaku aktual dhe kandidati i PS Jorgo Goro që kërkon një tjetër mandat, ka 50.65% të votave, ndërsa Fredi Beleri nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka 49.35% të votave.


REDAKSIA TVKLAN.AL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share