Sylvinho konfirmon formacionin fitues, Ismajli rikthehet në qendër të mbrojtjes
Kualifikimi në Euro2024 për kombëtaren shqiptare kalon nga Moldavia. Në Kishinau, kuqezinjtë e Sylvinhos duan të mbyllin llogaritë për të garantuar pjesëmarrjen për herë të dytë në Kampionatin Europian. Një përballje që nis në orën 18:00, me trajnerin brazilian dhe stafin teknik që nuk pritet të bëj eksperimente.
Forma e mirë fizike e grupit të lojtarëve nuk limiton aspak zgjedhjet e 49-vjeçarit. Me rreshtimin 4-2-3-1, Sylvinho besohet se do hedh në fushë formacionin që luajti edhe ndaj Ishujve Faroe, ku kombëtarja jonë fitoi me shifrat 3-1.
Porta do i besohet Etrit Berishës, që vjen në këtë takim pas performancës së mirë në kampionat ndaj Napolit. Portieri do të mbulohet nga dyshja Gjimshiti-Ismajli, me këtë të fundit që rikthehet dhe merr vendin e Ajetit të dëmtuar. Nga krahët do të veprojnë Hysaj dhe Mitaj, ndërsa në mesin e fushës treshja e Serie A, Ramadani, Asllani dhe Bajrami.
Së bashku me Asanin dhe Seferin, mesfushori i Sassuolo do të formojnë repartin në mbështetje të sulmuesit kryesor, Sokol Cikalleshi. 33-vjeçari e ka edhe një pre të preferuar Moldavinë, pasi ka shënuar dy herë në portën e tyre. Shqipëria kryeson grupin E me 13 pikë, ndërsa Moldavia në kuotën e 9 të tillave. Sfida do të vij ekskluzivisht dhe falas në televizionin kombëtar “Klan”.
Klan News