Shqipëria është gjobitur sërish nga UEFA.
Kombëtarja “Kuq e Zi” u dënua me 30 mijë euro për “racizmin e shfrytëzuar në tribuna”.
Skuadra e drejtuar nga Sylvinho, mori një ndalim me kusht për tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tyre në ndeshjet kundër Kroacisë dhe Spanjës.
Bashkë me kombëtaren shqiptare, nga shtëpia e futbollit evropian, u gjobitën edhe gjashtë vende të tjera.
Kroacia u gjobit me 50 mijë euro dhe ndalim të tifozëve për ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tifozëve në ndeshjet kundër Spanjës, Shqipërisë dhe Italisë.
Po ashtu, u gjobit edhe Serbia me 30 mijë euro dhe ndalim të tifozëve për ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tifozëve në ndeshjet kundër Anglisë, Sllovenisë dhe Danimarkës.
Sllovenia u gjobit me 30 mijë euro dhe ndalim me kusht për tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tifozëve në ndeshjet kundër Danimarkës, Anglisë dhe Portugalisë.
Rumania u gjobit me 40 mijë euro dhe nuk do t’i ketë tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushe shkaku i sjelljeve raciste të tyre kundër Ukrainës, Belgjikës dhe Holandës.
Hungaria u gjobit me 30 mijë euro dhe ndalim me kusht për tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushe për shkak të sjelljes raciste të tyre në ndeshjet kundër Gjermanisë dhe Skocisë.
E pa u dënuar nuk shpëtoi as Austria, që mori një gjobë prej 20 mijë eurosh, dhe nuk do t’i ketë tifozët në ndeshjen e parë jashtë fushë shkaku i sjelljeve raciste ndaj Polonisë.
Kombëtarja e Shqipërisë dhe ajo e Kroacisë, janë në mesin e vendeve që u dënuan më së shumti gjatë “Euro 2024”, për shkak të sjelljeve të tifozëve.