Shqipëri: Ulet lehtë çmimi i naftës

Benzina rritet me 3 Lekë, gazi bie

Tabelat e çmimeve të karburanteve u ndryshuan sërish këtë të enjte në orën 18:00. Bordi i Transparencës ka marrë vendim për të ulur me 3 Lekë çmimin e naftës.

Tashmë një litër naftë do të mund të blihet me 258 Lekë nga 261 Lekë për litër pesë ditë më parë.

Kjo është ulja e dyte e çmimit të naftës brenda 1 jave, pas rekordit historik të vendosur në 17 Qershor, ku një litër naftë u tregtua me 265 Lekë për litër.

Po me 3 Lekë është ulur edhe çmimi i gazit. Një litër gaz do të jetë 83 Lekë nga 86 që ishte më parë.

E kundërta ka ndodhur benzinën, e cila do të tregtohet me 3 Lekë më shumë. Një litër benzinë do të blihet 239 Lekë në pikat e shitjes me pakicë nga 236 Lekë që ishte.

Ndryshe nga herët e tjera, Bordi ka kryer transparencë për llogaritjen e formulës së çmimit të karburanteve, ku theksohet se kursi i këmbimit të dollarit realizohet sipas Bankës së Shqipërisë. Këto janë çmimet tavan të shitjes si me shumicë dhe pakicë, pasi firmat mund ta shesin edhe më lirë se sa vendimi i Bordit.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share