Shqipëri: Sot opozita ngrihet në protestë

Këtë të Hënë në orën 18:00 opozita dhe mbështetësit e saj dalin në protestë. Ashtu siç është njoftuar nga selia blu, tubimi do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Duke qenë se Partia Demokratike ka paralajmëruar një protestë masive, edhe Policia e Shtetit ka marrë masat e nevojshme. Do jenë në dispozicion rreth 1200 efektivë policie, FNSH, RENEA dhe Garda e Republikës. Po në kuadër të masave të ndërmarra, policia ka programuar bllokimin e disa akseve kryesore në kryeqytet, duke nisur nga Ministria e Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza” dhe degëzimet që lidhen me të.

Nga ana tjetër edhe pse është marrë leje për 4 orë protestë, kohëzgjatja është e paqartë.

Pa fjalime dhe tribuna, opozitarët me shumë gjasë do e zhvendosin aksionin e tyre sot edhe në akse të tjera. Madje siç ka mësuar Klan News, objektiv i protestuesve do të jetë edhe Bashkia e Tiranës.

Eksponentë të shumtë të PD e kanë deklaruar me bindje se me mazhorancën “nuk ka më kompromis politik” dhe se mosbindja civile do vijojë deri në krijimin e një qeverie teknike. Është kjo kërkesa kryesore e demokratëve para zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.

Kjo protestë u thirr nga PD më datë 29 Shtator 2024, 3 ditë pas dënimit me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit për ish-deputetin Ervin Salianji. Ky vendim gjyqësor për opozitën ishte ‘krejtësisht politik’ dhe siç pretendojnë ata ishte ‘goditja’ e fundit pas një sërë përpjekjesh të PS-së për të asgjësuar Partinë Demokratike.

Kështu, kreu i demokratëve Sali Berisha e ka cilësuar 7 Tetorin ditën e paralajmëruar prej kohësh, kur PD i jep përgjigjien e merituar kapjes së shtetit dhe sistemit të drejtësisë.

Pavarësisht shumë ‘skenarëve’ që qarkullojnë, ende nuk dihet se çfarë trajte do marrë revolta sot. Megjithatë gjuha e ashpër e politikanëve të djathtë javën e fundit, nuk përjashton mundësinë edhe për akte dhune.

E.D/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share