Këtë të Martë në orën 12:00 mblidhet Këshilli i Sigurimit Kombëtar. Përmes një njoftimi zyrtar, Presidenca bën të ditur se Kreu i Republikës Bajram Begaj sëbashku me pjesëmarrësit e tjerë do të diskutojnë për sigurinë kibernetike të vendit.
“Në vijim të njoftimit paraprak, ju bëjmë me dije se sot në orën 12:00 Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj në zbatim të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore do të mbledhë Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Referuar praktikës dhe procedurave të sigurisë në të cilat zhvillohet kjo mbledhje, Institucioni i Presidentit të Republikës do të jetë përgjegjës për vënien në dispozicion të të gjitha materialeve filmike dhe fotografike si dhe informacionit përkatës në funksion të raportimit tuaj”, njofton Presidenca.
Pjesëmarrës në këtë mbledhje do të jenë Kryeministri Rama, kryeparlamentarja Lindita Nikolla; zv/kryeministrja, Belinda Balluku; ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi; ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka; ministri i Brendshëm, Bledi Çuç; ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj; kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Nasip Naço; Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Arben Kingji; Drejtori i Policisë, Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni.
Në këtë mbledhje janë ftuar të marrin pjesë edhe Zv/Kryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Ferdinand Xhaferaj; Drejtori i Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa dhe Drejtoresha i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj./tvklan.al