Në Shqipëri, ish kryeministri Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike, pritet të shkojë nesër në Prokurorinë e Përgjithshme ku ai është thirrur të paraqitet para prokurorëve që hetojnë mbi çështjen e tij. Kjo është hera e dytë që ai thirret në Prokurorinë e posaçme, që kur vitin e shkuar, u vu nën hetim, për procedurat e ndjekura në rastin e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani. Ai dyshohet të ketë favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga ish pronarët e truallit, mbi të cilin më pas, u ngrit një kompleks pallatesh.
Prokuroria nuk ka dhënë asnjë shpjegim zyrtar mbi arsyet për thirrjen e zotit Berisha, por sipas burimeve, pritet që atij t’i komunikohet akuza. Deri më tani zoti Berisha ka qenë vetëm një i dyshuar për “korrupsion”, ndërsa dhëndri i tij, Malltezi, i cili fillimisht u arrestua duke u lënë në burg, por më pas në “arrest shtëpie”, dyshohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, të kryer në bashkëpunim me ish kryeministrin si dhe “pastrim parash”. Atij i janë vënë nën sekuestër dhe një sërë pasurishë të patundshme.
Nëse do t’i komunikohet një akuzë, atëherë zoti Berisha do të ketë për drejtësinë, statusin e të pandehurit. Thirrja e tij në Prokurorinë e Posaçme është konfirmuar indirekt dhe nga një mesazh telefonik që sipas mediave i është dërguar deputetëve nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka, përmes të cilit ai i fton të mblidhen para godinës së SPAK-ut. “Të mobilizohemi të gjithë maksimalisht. për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narkodrejtesisë”, shkruan ai në mesazhin e tij.
Në tetor të vitit të shkuar, ndaj zotit Berisha u vendos masa “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim të lëvizjes jashtë vendit”. Por ish kryeministri e shpërfilli atë duke e konsideruar në shkelje të kushtetutës. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme kërkoi më pas “arrestin në shtëpi”, ndërsa parlamenti u shpreh në favor të heqjes së imunitetit ndaj zotit Berisha, në fund të muajit dhjetor.
Gjatë gjithë kësaj kohe ish kryeministri dhe avokatët e tij, kanë shfrytëzuar të gjitha hapësirat ligjore për të kërkuar heqjen e masës së sigurisë, duke pretenduar se ndaj tij nuk ka asnjë akuzë apo dhe prova. Por të trija shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, i kanë refuzuar kërkesat e tyre, sikundër dhe atë për pjesmarrjen e zotit Berisha në punimet e parlamentit.
Sipas Prokurorisë, duke shfrytëzuar pozitën e tij si kryeministër, zoti Berisha dyshohet të ketë miratuar ligje dhe akte nënligjore duke i përshtatur sipas nevojave të ish pronarëve të truallit të ish kompleksit Partizani, dhe se përmes kontrolleve administrative është ushtruar presion ndaj strukturave shtetërore që të përshpejtonin procedurat si dhe vënien e këtyre strukturave në dispozicion të zoti Malltezi për realizimin e privatizimit.
Ish kryeministri i ka hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë duke deklaruar se ndaj tij “nuk ka asnjë provë, por vetëm trillime, mashtrime, falsifikime. Ka vetëm zbatim të porosisë politike”. Në mënyrë të përsëritur, ai ka sulmuar SPAK-un duke e cilësuar si “vegël të kryeministrit Rama” apo “organizatë kriminale”. /VOA