Dekreti i Ervin Metes shqyrtohet të enjten
Në një seancë të posaçme që zgjati vetëm 10 minuta, Kuvendi votoi ndryshimet e reja në qeveri, të dekretuara pak ditë më parë nga Presidenti Bajram Begaj.
Diplomacia, financat, arsimi, shëndetësia dhe bujqësia janë dikasteret që do të kenë drejtues të rinj menjëherë pas betimit në Presidencë. Që në nisje të punimeve të Kuvendit opozita kërkoi një seancë me debat, ç’ka nuk u pranua nga Kryeparlamentarja Nikolla.
Me votat e mazhorancës dhe opozitës nga detyra e Ministres së Jashtme u shkarkua Olta Xhaçka, Evis Kushi si ministre e Arsimit, Edona Bilali nga posti i ministres së Sipërmarrjes, Milva Ikonomi si ministre shteti për Standardet e Shërbimeve, si dhe dy ministret; ajo e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe e Bujqësisë Frida Krifca, të cilat morën edhe numrin më të madh të votave për lirimin nga detyra.
Ndërkohë emrat e ministrave të rinj, Igli Hasani, Arbjan Mazniku, Delina Ibrahimaj, Ogerta Manastirliu, Albana Koçiu dhe Anila Denaj kaluan vetëm me votat e socialistëve.
Ndërsa Ervin Mete pritet të votohet në seancën e të enjtes, për shkak të shkarkimit ditën e sotme si kryetar i AMF-së.
Pas seancës Sali Berisha i cilësoi ndryshimet në qeverinë Rama, diktat i krimit, teksa tha se për shkak të lidhjeve me bandat kryeministrit iu bë pluhur ëndrra për të ngjitur në karrigen e ministres së Jashtme, Elisa Spiropalin.
“Spiropali bën këtë mbledhje me Bajrët dhe Pëllumb Gjokën dhe bandat e tjera të Shkodrës në një hotel afër qendrës, detyroi, thonë, Ramën ta anulojë emërimin e saj. Ju garantoj se sapo të më bjerë në dorë ajo video do ta bëj publike pa asnjë diskutim. Ju bënë pluhur ëndrrat për t’u bërë ministre e Jashtme vetëm minutën e fundit nga një video që thuhet se qarkullon”, tha Berisha.
Pas Berishës edhe kreu i grupit parlamentar të demokratëve Gazment Bardhi hodhi akuza në adresë të mazhorancës dhe qeverisë.
“Nuk kemi asnjë shpjegim se pse ditën e parë të shkollës shkarkohet ministrja e Arsimit dhe emërohet dikush tjetër. Nuk kemi asnjë sqarim publik se pse shkarkohet ministrja e Jashtme në një kohë kur përpara kemi samitin e Berlinit dhe Presidencën nga Shqipëria të Këshillit të Sigurimit në OKB”, tha Bardhi.
Ministrat e rinj pas votimit në Kuvend pritet të betohen në presidencë për të nisur më pas detyrën e besuar nga kreu i qeverisë.
Tv Klan