Shqipëri: Nis protesta e opozitës para Kuvendit

Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita ka dalë në protestë mesditën e kësaj të hëne para kryesisë së Kuvendit. Të kryesuar nga kryedemokrati Sali Berisha, protesta vjen në një kohë kur në kryesi ka nisur mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që pritet të vendosë për imunitetin e ish-kryeministrit Berisha.

Vetë ky i fundit doli në një deklaratë për shtyp ku bëri me dije se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit, pasi sipas tij poshtëron Kuvendin. “Unë sot nuk mund të ndodhesha kurrë në atë komision, të pranoja një poshtërim të tillë të institucionit që me Kushtetutë është institucioni qendror i republikës parlamentare”, u shpreh Berisha. Kreu i PD përfaqësohet nga dy avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.

Sa i përket protestës, Berisha theksoi se opozita nis sot betejën pa kthim dhe do t’i përgjigjet Ramës dhëmb për dhëmb. Më herët ai është shprehur se opozitarët protestojnë për atë që e quan grusht brenda shtetit. Berisha ka deklaruar se edhe pse protesta e thirrur përkon me të njëjtën orë me mbledhjen, ajo nuk ka lidhje me vendimin që pritet të marrë Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share