Shqipëri/ Kuvendi miraton marrëveshjen me Italinë

Kuvendi i Shqipërisë miraton me 77 vota pro, marrëveshjen me Italinë për marrjen e emigrantëve. Kartonin jeshil e ngritën dhe 3 deputetët e PDIU, me argumentin se është një kontribut ndaj Italisë fqinje. Kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm në seancë.

Me zhurmën e bilbilave të opozitës në sfond, në një seancë plenare që zgjati 7 minuta, u ngritën 77 kartonë jeshilë për marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për marrjen e emigrantëve, duke i hapur zyrtarisht rrugë zbatimit të saj.

Mes 77 votave pro, 3 kartonë jeshil ishin të deputetëve të PDIU të cilët bashkuan votat me mazhorancën.

Mesila Doda argumentoi jashtë seancës qendrimin pro ndaj marrëveshjes.

Disa ditë më parë, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë pretendimet e opozitës duke e konsideruar marrëveshjen të ligjshme, që nuk cënon as territorin e Shqipërisë dhe as të drejtat e njerëzve. Pas miratimit, pritet nisja e procedurave për ngritjen e kampeve në Gjadër të Lezhës për pritjen e emigrantëve që shpëtohen më Mesdhe e që si destinacion kanë Italinë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share