Shqipëri / Kaos në Kuvend, opozita bllokon foltoren

Përjashtohen 10 ditë nga punimet 26 deputetë demokratë

Zgjati vetëm 20 minuta seanca plenare e të enjtes për shkak të bllokimit që deputetët e opozitës i bënë punimeve të kuvendit.

45 deputetët e grupit parlamentar demokrat, ashtu siç kishin paralajmëruar, nuk lejuan vijimin normal të parlamentit, duke zaptuar jo vetëm foltoren, por edhe vendet ku ulen ministrat e qeverisë.

Në mes të kaosit e bllokimit të seancës plenare, Sali Berisha komunikimin e vijoi nga rrjetet sociale, ku paralajmëroi nisjen e qëndresës së opozitës pas pengmarrjes që ai tha se Kryeministri i ka bërë parlamentit.

“Ky parlament është shndërruar në një institucion personal të Edi Ramës dhe Lindës së parlamentit, që e drejton këtë institucion në mënyrën më amorale, më të turpshme, më antikushtetuese, më antiligjore”.

Ndërhyrja e përfaqësuesve të mazhorancës teksa ai komunikonte live nga rrjetet sociale, jo pak herë e bëri që t’u kthehej me tone të larta disa prej deputetëve në sallë.

“Pushoni ju aty se do ju nxjerrim jashte fare. A merr vesh ti Çuçi pusho”.

Por situata e krijuar e detyroi drejtuesen e punimeve të Kuvendit Ermonela Felaj që ta shtynte seancën plenare duke paralajmëruar edhe masa ndëshkuese për deputetët demokratë që bllokuan kuvendin.

“Shtyjmë seancën për herë tjetër dhe mblidhet këshilli për masa ndëshkuese ndaj deputetëve”.

Në kundërpërgjigje, Sali Berisha i cili ndodhej në foltore hodhi lum akuzash ndaj saj.

“Nuk është parlamenti Prokuroria e Tiranës. Kjo delikuente që flet këtu ka patur burrin peng nga bandat se i kishte gjobitur kur ishte prokurore”.

Ndonëse dritat e kuvendit u fikën, deputetët demokratë vijuan të qëndronin në seancë plenare duke vijuar me akuzat ndaj mazhorancës.

“Siç e shihni, si një grup gangsterësh dhe jo parlamentarësh, fikën dritat dhe u larguan. Por natyrisht me këtë akt dëshmuan edhe njëherë se çfarë përfaqësojnë. Në parlament ju garantoj se do të zhvillohet një nga betejat më të fuqishme në historinë e demokracisë shqiptare, e cila sot është një fiktivitet”, tha Berisha.

Jashtë Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të demokratëve Gazment Bardhi tha se vendimi i opozitës vjen si pasojë e bllokimit që mazhoranca i ka bërë 3 komisioneve hetimore dhe përfaqësimit të opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

“Kur ti opozitës i mbyll çdo rrugë institucionale, padyshim që Kuvendi nuk zhvillon normalitet. E drejta e opozitës për hetim parlamentar është në Kushtetutë, për t’u përfaqësuar. Këto janë arsyet, jemi detyruar për sa kohe na është mbyllur çdo rrugë”.

Për kaosin në seancë dhe kërkesat e opozitës, përgjigjen Bardhit ia dha kreu i grupit parlamentar të socialistëve Bledi Çuçi.

“Kërkohet një bashkëkryetar që të mbart konsensus, jo duke mos pritur përgjigje dhe duke zaptuar platformën e qeverisë. Nuk kanë të drejtë të zaptojnë institucionet me dhunë. Është një e drejtë e opozitës për të ngritur komisione hetimore, por nuk është absolute”.

Për këtë qëndrim që mbajti, Çuçi u bë objekt i të tjera akuzave nga Sali Berisha.

“Akti kulmor i shëmtuar, i caktojnë opozitës përfaqësuesit në komisionin zgjedhor. Ky do ishte Çuçi që është një mashtrues ordiner. Ju bëj thirrje të hetoni pak për Çuçin. Ka nevojë të hetohet. Hetoni pak a është përzënë nga Zvicra dhe pse është përzënë? Nga Gjeneva”.

Pas tensioneve të krijuara në seancë plenare, Komisioni i Etikës vendosi të përjashtojë me 10 ditë 26 deputetë të opozitës që bllokuan punimet e kuvendit, mes të cilëve ish-Kryeministrin Berisha dhe kreun e grupit Gazment Bardhi.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share