Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.
Avokati i Dakos, Petrit Ismaili, u shpreh për mediat pas seancën se prokuroria nuk paraqiti asnjë provë të re që të justifikojë nevojën e masës së sigurisë “arrest me burg”.https://www.youtube.com/embed/ujmdi0jmt9M
“Gjykata sot vendosi vijimin e masës së sigurimit të dhënë nga po kjo gjykatë me datën 6 Qershor. Vendimi për mendimin tonë është në disproporcion të plotë me veprën penale që i atribuohet zotit Dako me kohën e kryerjes së veprës penale, por edhe me nevojat e sigurimit për zotin Dako. Ai po hetohet për një fakt penal historik tashmë. Ka 10-12 vjet që pretendohet se ka ndodhur vepra penale që i atribuohet. Për këto lloj masa sigurimi kërkohet një veprim procedural i ngutshëm që i kërkohet prokurorit për të marrë këtë masë. Vepra penale ka mbi 10-12 vjet. Prokurori nuk paraqiti asnjë provë për të justifikuar këtë nevojën e ngutshme të këtij veprimi të ndërmarrë. Nuk paraqiti asnjë provë ku të justifikojë kushtet dhe kriteret për vendosjen e masës së sigurimit. Thjesht ngeli në kuadrin deklarativ”, tha avokati.
Ai u shpreh se kërkoi në gjyq ndryshimin e masës së sigurimit.
“Mendojmë që nuk është e nevojshme. Dako e ka ushtruar aktivitetin e tij si kryetar bashkie nëpërmjet organeve kolegjiale të zgjedhura si dhe nëpërmjet strukturave organike të miratuara. Çdo strukturë ka të përcaktuar saktësisht detyrat dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi kryetari i bashkisë për veprimet e strukturës organike që ka në varësi aq më pak për vendimet e organeve kolegjiale siç është rasti që pretendon prokuroria”, tha avokati.
Ismaili theksoi se në seancë Dako ka kundërshtuar akuzat dhe se do të ankimojë vendimin e sotëm.
Ndërkohë gazetarja Glidona Daci ka mësuar se gjykata ka vendosur arrest në burg edhe për Fiqiri Farrukun dhe Adnan Toçilën.
Për Adrian Bulkun është ndryshuar masa e sigurisë nga burg në arrest shtëpie. Masa e sigurisë është ndryshuar edhe për Djana Dedën, e cila nga arrest shtëpie është lënë në detyrim paraqitje.
Në arrest shtëpie do të vijojnë Ferzilet Hajderi dhe Meri Semini. Ndërkohë për këtë çështje janë në kërkim Adhurim Qehajaj, Ermal Lama dhe Fatmir Ejupi.
Vangjush Dako u arrestua dy ditë më parë. Ai akuzohet dy herë për shpërdorim detyre.
SPAK kërkoi arrestimit e Vangjush Dakos për shkak të ndërtimit të kateve shtesë pa leje të një pallati në qytetin e Durrësit në 2010.
Pallati u ndërtua pa leje dhe ishte planifikuar për 7 kate. Ish-kryebashkiaku firmosi lejen e tij në vitin 2014 teksa ishte bërë 11 kate. Gjithashtu studimi sizmologjik ishte bërë për vetëm 7 kate, duke vënë kështu në rrezik jetën e banorëve.
Episodi i dytë lidhet me tenderin e shëtitores së plazhit. Grupi i punës i ngritur nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili kishte detyrë të përcaktonte fondin limit për tenderin, rezulton se ka bërë gabim në llogaritje, duke e dhjetëfishuar vlerën dhe duke i shkaktuar dëm shtetit 18 milionë Lekë. /tvklan.al