Deputetët e Partisë Demokratike që janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit nuk u lejuan të hyjnë në Kryesi këtë të hënë.
Garda u mbylli derën, por deputetët opozitarë gjetën zgjidhje alternative.
Pas disa minutash përplasje dhe debate në trotuarin jashtë Kryesisë, ata zgjodhën që të hynin nga dritarja. Fillimisht u futën deputetët Saimir Korreshi, Bledion Nallbati, Flamur Noka e Ervin Salianji.
Më pas erdhën disa punonjës të Gardës që nuk lejuan ngjitjen e deputetëve të tjerë.
Në dritare doli edhe ish-kryeministri Sali Berisha që tha se deputetëve të opozitës nuk po u lejohet të marrin pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar.
“Janë të gjithë deputetët me imunitet dhe kurrë ndonjëherë në historinë e parlamentit deputetët nuk janë ndaluar dot kurrë, për sa kohë kanë qenë deputetët të marrin pjesë në mbledhjen e grupit të tyre parlamentar. Frika dhe tmerri i Edi Ramës bën që ai të urdhërojë Lindën e tij me aktet më të turpshme, më antiligjore, më antikushtetuese. Deputetët nuk mund të përjashtohen përveçse nga mbledhja e grupit, nga grupi i tyre. Pra kjo sallë këtu është salla e mbledhjeve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Edi Rama ka frikë, ka tmerr nga mbledhja e grupit parlamentar të PD. Shikoni deri ku arrin verbëria e tyre politike, në çfarë shkalle arrin kjo verbëri. Pra sipas tij, ata që përjashton ai nga aktiviteti parlamentar nuk mund të marrin pjesë në mbledhjen e grupit të tyre parlamentar. As Lukashenko as Putini nuk mund të japin dhe nuk kanë dhënë ndonjëherë ndonjë urdhër të tillë. Kjo është fytyra e Edi Ramës, ky është morali i Edi Ramës.
Ja ku jemi, ne këtu jemi. Jemi të mbledhur dhe ne vazhdojmë betejën tonë. Siç e shihni ne po mbrojmë Kushtetutën, po mbrojmë Kushtetutën nga një bandë kriminale e kryesuar nga Edi Rama, i cili për hir të dufeve të tij, i tmerruar nga grupi parlamentar dhe Partia Demokratike jep urdhra të tillë që nuk i ka dhënë kush kurrë. Ne kemi mbledhjen e grupit parlamentar, deputetët ja ku janë nuk lejohen. Nuk lejohet kryetari i grupit të vijë në mbledhje, histori më të turpshme se kjo nuk ka. Po e garantoj Edi Ramën se ky është vetëm fillimi. Deputetët dhe populli opozitar nuk tërhiqet. Ti po tregon moralin dhe fytyrën tënde të vërtetë si pasardhës i xhelatëve të dikurshëm të popullit shqiptar. Kështu po sillesh edhe me parlamentin, pasojat do të bien mbi ty, zemërimi i shqiptarëve do të bie mbi ty. Turp!“, njoftoi policia./tvklan.al