Shqipëri/ “Cirk” në autostradë, banorët kalojnë mes për mes: Jo vetëm në këmbë, por me biçikleta e me kafshë

Aksidentet rrugore vijojnë të mbeten shqetësuese. Këtë të enjte në Klan News u fol për dy akse që janë shumë problematike. Bëhet fjalë për autostradën Lushnje-Rrogozhinë dhe atë Lushnje-Fier. Gazetarja Anila Sefa raportoi se këto dy zona konsiderohen edhe nga Policia Rrugore si njolla të zeza. Kryesisht problematike mbetet sjellja e këmbësorëve. Për shkak se rruga shtrihet përmes fshatrave, banorët tentojnë të kalojnë autostradën duke kaluar trafikndarëset dhe jo duke përdorur mbikalimet apo nënkalimet. Gazetarja raportoi se në vëzhgimin që i bëri këtyre dy akseve ishin të shumta rastet ku qytetarët e kalojnë rrugën mes për mes duke rrezikuar jetët e tyre, por edhe të shoferëve.

“Që prej ndërtimit të këtyre akseve situata gjithmonë ka qenë problematike. Janë dy nga zonat e quajtura edhe nga Policia Rrugore si njolla të zeza. Kryesisht sjellja e këmbësorëve i ka bërë problematike këto dy akse për faktin se gjurmët e tyre shtrihen përmes fshatrave dhe qendrave të banuara dhe marrëdhënia e qytetarëve për t’u lidhur nga njëri krah i rrugës në tjetrin në shumicën e rasteve i ka detyruar të kalojnë mes për mes autostradave apo të hipin mbi trafikndarëve. Duke u nisur edhe nga rastet e ditëve të fundit ne bëmë një vëzhgim në dy këto akse në Lushnje-Fier dhe në Lushnje-Rrogozhinë ku shihet qartë edhe nga pamjet që këmbësorët edhe në rastet kur ka mbikalime nuk marrin rrugën për të kaluar mbikalimin për të dalë në krahun tjetër të saj, por i bien shkurt duke kapërcyer mbi barrierat ndarëse apo mbi pjesët metalike”, raportoi gazetarja Sefa.

Por çudia vijon. Përveç këmbësorëve, mes për mes autostradës kalojnë edhe persona me biçikletë apo të ngarkuar me thasë me produkte bujqësore.

“Në zonën e Dushkut kryesisht, në Golem të Lushnjes, aty ku tokat bujqësore ndahen mes për mes nga ky aks nacional, bën që në shumicën e rasteve jo vetëm si këmbësorë të kalojnë banorët, por edhe biçikletat, thasët e ngarkuara me produkte bujqësore, apo çfarëdolloj transporti që kryejnë jo me automjete, por me krahë”, tha gazetarja.

Të tjera problematika, sipas gazetares janë edhe lëvizja e motoçikletave apo triçiklave në krah të kundërt me qarkullimin duke u bërë rrezik për veten dhe për shoferët. Këtë e bëjnë pasi nuk mund të ngjisin ato në mbikalime dhe për t’i rënë shkurt marrin krahun e kundërt.

Problemet vijojnë. Kësaj here me bagëtitë.

“Një tjetër problem është edhe kalimi i bagëtive. Në Lushnje-Fier ka raste kur blegtorët për të kaluar tufat e bagëtive në njërin kah të rrugës gjejnë momentet në orët ku duhet të mbledhin bagëtitë dhe i kalojnë tufat e bagëtive në autostradë. Ka pasur bagëti që kullosin buzë autostradës”, raportoi gazetarja Sefa.

Gazetarja raportoi se në autostradën Lushnje-Fier janë ndërtuar 5 mbikalime dhe 2 nënkalime, por shumë pak prej tyre shfrytëzohen nga banorët.

“Numri i aksidenteve me pasoja tragjike janë të shumta në këto dy akse, madje një vit më parë duhet përmendur që në ‘Pushimin e Shoferit’ në Lushnje Fier për disa ditë u mbyll e çara e rrugës me pretendimin se është një njollë e zezë dhe pikë për aksidente. Ajo rrugë u la e lirë pas protestave të banorëve. Problematika vjen jo vetëm për sjelljen e tyre të gabuar, por edhe për faktin se mungon një rrugë dytësore. Mungesa e saj në shumicën e rasteve i ka detyruar banorët të kryejnë këtë lloj kalimi të rrezikshëm jo vetëm për jetët e tyre, por edhe për drejtuesit e mjeteve. Në Lushnje fier janë ndërtuar 5 mbikalime dhe 2 nënkalime. Por këto nuk shfrytëzohen nga banorët”, tha Sefa./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share