Shqipëri/ Bllokohet me karrige foltorja në Kuvend, Berisha: Vazhdon mosbindja civile

Opozita vijon sërish betejën e saj në Kuvend. Edhe këtë të enjte seanca plenare do të bllokohet. Para nisjes së Kuvendit, deputetët demokratë kanë vendosur një grumbull karrigesh në foltore. Ndërkohë pas karrigeve qëndrojnë efektivë të Gardës.

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se edhe sot do të vazhdojë mosbindja civile e parlamentarëve të opozitës pasi i janë mohuar të drejtat kushtetuese.

“Vazhdon mosbindja civile, protesta paqësore e parlamentarëve të opozitës me të drejta kushtetuese të mohuara. Prej 18 muajsh me urdhër të Edi Ramës ky parlament nuk lejon ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, një detyrim kushtetues nga neni 77 i Kushtetutës që thotë se me firmën e ¼ të deputetëve të Kuvendit, Kuvendi është i detyruar të ngrejë komisione hetimore për çështje të caktuara”, tha Berisha.

Sipas tij, Rama nuk i pranon këto komisione sepse ai vetë është i inkriminuar dhe se familjarët e tij janë vërsulur pas tenderave dhe prokurorimeve publike.

Në rendin e ditës të publikuar në faqen zyrtare të parlamentit janë për diskutim një sërë çështjesh. Ndër to janë projektligji për Kodin Penal, projektligji për koncesionet dhe partneritetin publik privat, për prokurorimin publik etj./tvklan.al

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share