Shqipëri / Betohet në Presidencë ministri i ri Brendshëm, Taulant Balla

Taulant Balla është betuar ditën e sotme në Presidencë si ministër i Brendshëm.

Balla do të jetë në krye të kësaj ministrie, pas shkarkimit të Bledi Çuçit një javë më parë (08.07.2023). Në të njëjtën ditë, kryeministri Rama mori vendimin për t’ia besuar Taulant Ballës këtë ministri.

Në një postim në Twitter, Rama njoftoi se në postin e ministrit të Brendshëm do të emërohet Taulant Balla.

Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falenderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Brendshëm Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese edhe në këtë drejtim”, shkroi Rama në postimin e tij.

Kreu i qeverisë nuk dha arsyen e shkarkimit të Çuçit si ministër, megjithatë ky vendim erdhi në një kohë kur më herët gjatë javës së shkuar, ngjarja e ndodhur në Borizanë, dhuna e anëtarëve të fisit Rraja ndaj kushërinjve Maja, çoi në shkrirjen e Komisariatit të Krujës (Lexo më shumë).



1 orë pasi kryeministri Rama i dorëzoi vendimin, Bajram Begaj dekretoi Taulant Ballën si ministër të Brendshëm.


Ndërkohë në seancën e 13 Korrikut, Kuvendi votoi me 75 vota pro dekretin për emërimin e Taulant Ballës si ministër i Brendshëm. Gjithashtu, Kuvendi miratoi me 84 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim edhe dekretin e shkarkimit të Bledi Çuçit si ministër i Brendshëm.


Taulant Balla mbante detyrën e kreut të grupit parlamentar të PS që prej vitit 2017. Më herët, ai ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i kësaj force politike, drejtues politik së fundmi edhe i qarkut të Fierit. Balla nuk ka qenë më parë i angazhuar në qeveri në të gjithë karrierën e tij politike.

Ndërsa Bledi Çuçi e mbante detyrën e Ministrit të Brendshëm nga Dhjetori i vitit 2020. Më herët ai ka mbajtur disa detyra, si Ministër i Mjedisit dhe Turizmit, gjithashtu dhe Ministër i Bujqësisë. Postin e Ministrit të Brendshëm e mori pas largimit të Sandër Lleshajt, i cili dha dorëheqjen pas protestave për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share