Shqetësimet nga arinjtë: Të shpallet gjendje krize në Mavrovë – Rostushë!

ALARMI NGRITET EDHE NË KUVEND

Në bazë të konkluzionit të miratuar në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës Mavrovë – Rostushë, përcjellë Klan M, kjo Komunë kërkon nga Qeveria që të shpallet situatë krize në gjithë territorin e Mavrovë – Rostushës.

Banorët e kësaj Komune, kanë ngritur shqetësimin se janë të rrezikuar nga arinjtë që ditë për ditë zbresin nëpër vendbanime.

“Gjithashtu i bëjmë thirrje Ministrisë për Ambient Jetësor, Ministrisë së Bujqësisë, Ndërmarrjes Publike Mavrovë, Qendrës për Menaxhim me Krizat dhe të gjitha institucioneve kompetente që të zgjidhin problemin me arinjtë dhe derrat e egër, me çka do të kthejmë sigurinë e qytetarëve” – thonë nga komuna Mavrovë – Rostushë.

Alarmi për këtë situatë sot është ngritur edhe në Kuvend. Deputetja e kësaj zone Belkisa Zeqiri, tha se rajoni më i goditur është Zhirovnica por nuk duhet përjashtuar edhe fshatrat tjera.

Ndryshe, Klan M ditë më parë raportoi për shqetësimin e banorëve të kësaj komune. Tek ne mbërritën video të dërguara nga banorët ku shihet qartë dëmi i shkaktuar nga arinjtë të cilët shëtisin lirshëm në këtë fshat. Shqetësimi më i madh i banorëve ishte se arinjtë lëvizin lirshëm edhe gjatë orëve të mëngjesit kur edhe fëmijët shkojnë në shkollë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share