Shpërthim masiv në Lushnje të Shqipërisë, 1 i vdekur dhe 8 të plagosur

Policia ka dalë me një njoftim zyrtar sa i takon shpërthimit masiv të ndodhur pasditen e sotme në një zonë industriale në Lushnje. Mësohet se ngjarja ka ndodhur fiks në orën 16:05 tek “Rrethrrotullimi i Plasmasit” në një kapanon në ndërtim, ku një vinç ka prekur aksidentalisht linjën e tensionit të lartë.

Për pasojë ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm duke i marrë jetën një punëtori i quajtur Landi Verçani dhe duke plagosur 8 të tjerë, mes tyre dhe deputetin Bujar Çela. Ky i fundit ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën dhe raportohet se është pronari i objektit që po ngrihej.

“Rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm. Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi L. V., dhe janë plagosur 8 shtetas mes tyre dhe deputeti B. Ç., të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjeksore. Menjëherë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit”, raporton Policia.

Gazetarja e Klan News Anila Sefa dha më herët disa detaje nga vendngjarja. Sipas saj atje është hapur një gropë me diametër jashtëzakonisht të madh prej shpërthimit, ndërkohë që janë thyer dhjetëra xhama biznesesh. Mësohet se të plagosurit janë dërguar në spital me djegie të rënda në trup, ndërsa deputeti socialist po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Në spitalin rajonal ndodhet ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share