Një grua ka ndërruar jetë, ndërsa një burrë ka marrë plagë të rënda pasi shtëpia ku banonin në Birmingham të Britanisë së Madhe u shkatërrua si pasojë e një shpërthimi gazi. Fqinjët kanë qenë ata që kanë mundur të nxjerrin nga flakët të plagosurin nga prona e shkatërruar. Banorët janë përshkruar nga policia dhe zjarrëfikësit si heronj.
Ndërkohë, fqinjët kanë treguar sesi kanë mundur të nxjerrin të plagosurin nga rrënojat, duke i bërë ballë flakëve.
“Teksa po ecja aty, pashë shtëpinë në zjarr. Mësova se dikush kishte mbetur i bllokuar. Të gjithë vraponin. Unë vrapova në shtëpinë që ishte përfshirë nga zjarri për të ndihmuar të gjithë tjerët që po përpiqeshin që ta nxirrnin atë jashtë. Dëgjova se kishte edhe një grua aty brenda. Të gjithë janë të mërzitur. Ishte një natë e keqe”, tha njëri nga banorët.
Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm saqë janë shkatërruar dhe 6 prona në afërsi të saj.
“Një shtëpi u shkatërrua, ndërsa gjashtë prona afër saj kanë marrë dëmtime”, tha komandanti i zonës Alex Shapland nga Shërbimi i Zjarrfikësve West Midlands (WMFS).
Pas shpërthimit, 21 persona u zhvendosën dhe kanë shkuar për të qëndruar në hotele apo në shtëpi të të afërmve të tyre.
“Me të mbërritur ishte e qartë se një shpërthim gazi kishte ndodhur,” tha Policia.
Katër persona të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta dhe janë trajtuar nga ekipet e ambulancës në vendngjarje.
Tv Klan