Shpërthime në veri të Kosovës | Sveçla: Grupe të organizuara dhe individë të maskuar sulmuan zyrtarët në veri

Në orët e pasdites dyshohet se ka pasur shkrepje armësh e shpërthime në Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut.

Deri më tash nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.

Protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor. Këtë e ka konfirmuar edhe policia e Kosovës.

“Janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Policia ka thënë se njësitet policore kishin shoqëruar zyrtarët komunalë zgjedhorë në zyrat e komisionit komunal zgjedhor në Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut.

Presidentja, Vjosa Osmani ka thënë se situata në veri eskalon për shkak të bandave kriminale që përkrahen nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

“Sikurse në shumë raste paraprake, situata në veri eskalon, sepse bandat kriminale të përkrahura nga Vuçiqi kanë për qëllim eskalim të situatës dhe destabilizim të Ballkanit Perëndimor. Duhet të bëjmë çmos që përmes institucioneve të sigurisë të vendosim rend dhe ligj, por edhe të mbrojmë jetën e secilit qytetar”, ka deklaruar Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nga Tirana ka akuzuar Kosovën, duke thënë se “ka shkelur marrëveshjen e Brukselit me dërgimin e policëve të armatosur në veri”.

“Sot, përsëri, në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, janë dërguar policë të armatosur në veri. Siç thashë dje, thjeshtë pyesni se në cilën ditë do të ndodhë një provokim i ri që mund të prishë stabilitetin dhe paqen. Mirë që të paktën sipas informatave nuk ka viktima dhe besojmë se do të mbetet e tillë. Për sa i përket kohës, nuk e dimë se çfarë ka në mendjen e atyre njerëzve që duan të shkaktojnë konflikte çdo javë. Nuk është një periudhë e lehtë përpara nesh. Por, është e rëndësishme që të qëndrojmë me popullin tonë dhe të pajtohemi me shqiptarët për gjithçka që është e mundur që të ruhet paqja. Besoj se Miroslav Lajçak do të luajë një rol të rëndësishëm në qetësimin”, deklaroi presidenti serb, Vuçiq.

Këto sulme po ndodhin në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që pritet të mbahen në katër komunat veriore e që janë me shumicë serbe. Serbët atje kanë paralajmëruar bojkotimin e zgjedhjeve./KlanMacedonia

Raporti. Blerta Dalloshi Berisha

Lexo gjithashtu
Total
0
Share