Dy shok-bomba janë gjuajtur mbrëmë në veri të Mitrovicës, njëra afër stacionit policor dhe tjetra afër një shkolle teknike.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëvëndësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.
“Dy shok-bomba janë gjuajtur mbrëmë, njëra afër stacionit të Policisë së Kosovës dhe tjetra, afër një shkolle teknike”, ka thënë Elshani.
Gjatë të premtes në Leposaviq, gazetarë dhe kameramanë janë sulmuar nga protestuesit. Këta të fundit i kanë sulmuar me shok-bomba, gurë dhe u kanë dëmtuar pajisjet. Sipas Policisë së Kosovës, numërohen 9 gazetarë të lënduar.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.
Gjithashtu, pak ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar nga forcat policore serbe. Policia e Kosovës ka publikuar hartat duke treguar se të njëjtit ishin kidnapuar në brendësi të territorit të Kosovës.
Tre policëve të Kosovës, të kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të kidnapuar nga forcat serbe, sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.