Kryeministri në detyrë, Albin Kuti ka dënuar fuqishëm sulmin me granata ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan.
Kurti ka thënë se sulmi ka elemente terroriste.
“Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese”, pohoi ai.
Kurti ka shkruar se përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i vendit tonë.
“Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës. Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët”, theksoi ai.
Kurti shton tutje se institucionet relevante janë duke kryer hetime të plota për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij akti të rëndë.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, por nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të sfiduar rendin tonë kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë”, deklaroi ai.
Sot rreth orës 00:20 persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në objektin e Postes se Kosovës në Zveçan.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se si pasojë e shpërthimit të njërës granatë janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar.
E lidhur me këtë ka reaguar sot Posta e Kosovës.
“Sot, pas mesnate, zyra postare Zveçan-2, e vendosur në qendër të Zveçanit, është sulmuar me mjete shpërthyese. Posta e Kosovës Sh.A. dënon ashpër këtë akt kriminal dhe kërkon nga autoritetet kompetente hetimin e plotë të rastit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë”, thuhet në reagimin e Postës.