Shpërthejnë sërish trazirat në Francë

150 persona janë arrestuar pasi u përleshën me policinë pas vrasjes së adoleshentit

Trazirat shpërthyen në natën e dytë në Paris pas vrasjes së një adoleshenti 17-vjeçar nga policia. Protestuesit qëlluan me fishekzjarre policinë dhe i vunë flakën makinave në periferi të Parisit. Një video e postuar në mediat sociale tregon një grup të rinjsh që u vënë flakën dokumenteve dhe karrigeve brenda bashkisë së Mons-en-Barœul në periferi të Lille.

Përdorimi i forcës vdekjeprurëse nga oficerët kundër adoleshentit, i cili ishte me origjinë nga Afrika e Veriut, ka nxitur zemërim ndaj forcës brutale të policisë në periferitë ku jetojnë njerëz të etnive të ndryshme.

Policia u përlesh me protestuesit edhe në qytetin verior të Lille dhe Toulouse në jugperëndim. Trazira pati edhe në Amiens, Dijon dhe departamentin administrativ Essone në jug të kryeqytetit francez. Disa demostrues shkruajtën në muret e institucioneve “Drejtësia për Nahelin” dhe “Policia vret”.

Rreth 2,000 policë u vendosën në Paris dhe periferitë e tij përreth. 150 protestues u arrestuan pas trazirave në shumë qytete të Francës. Ministri i Brendshëm francez i cilësoi trazirat si dhunë ndaj simboleve të republikës. Ndërkaq presidenti francez Emmanuel Macron e quajti më herët vrasjen e Nahelit “të pafalshme”. Kreu i Elizesë ka thirrur një takim disa nga ministrat e tij pas trazirave.

Mediat shkruajnë se ekziston rreziku që kjo situatë mund të shndërrohet shpejt në trazira edhe më të mëdha, të nxitura nga zhgënjimet mbi pabarazinë dhe sjelljen e policisë. Nahel M vinte nga një familje franko-algjeriane. Policia pretendoi se i riu tentoi t’i përplaste efektivët me makinën e tij, por një video e bërë publike tregon të kundërtën. Siç shihet, njëri prej policëve i ka drejtuar armën drejtuesit të mjetit dhe pas disa sekondash dëgjohet një e shtënë.

Pavarësisht ndihmës së stafit mjekësor, adoleshenti ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Efektivi i policisë ndodhet në paraburgim dhe mbi të rëndon akuza e vrasjes. Vitin e kaluar, 13 persona u vranë pasi refuzuan të ndalonin për kontrolle nga policia. Një ndryshim i ligjit në vitin 2017 u dha oficerëve më shumë kompetenca për të përdorur armët e tyre, ndaj atyre që nuk i binden ligjeve.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share