Shpalosen strategjitë për raundin e dytë në Turqi

Kandidati i opozitës në Turqi: Do të luftoj terrorizmin dhe do të largoj refugjatët

Për herë të parë foli me gjuhën dhe tonin e zërit të Erdogan. 10 ditë para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve në Turqi, kandidati i opozitës Kemal Kilicdaroglu  ndryshoi strategjinë e fushatës. Premtoi para qytetarëve luftë ndaj terrorizmit.

“Erdogan, ti je ulur në tavolinë me organizatat kriminale. Ke bërë pazare në kurriz të popullit tonë brenda dyerve të mbyllura. Kush je ti që na kërkon llogari neve për dashurinë ndaj atdheut. Po e them qartë. Nuk do të ulem kurrë në tryezë me grupet terroriste. Pikë. Erdogan, nuk do të ndjek rrugën tënde të errët. Pikë”, tha ai.

Deklaroi se do të largojë refugjatët nga vendi.

“Erdogan, ti nuk u ke dalë Zot kufijve tanë. Ke sjellë 10 milionë refugjatë në Turqi. Po e them qartë. Sapo të vij në pushtet, refugjatët do t’i dërgoj në shtëpitë e tyre. Pikë”.

Preku edhe çështjen e krizës ekonomike. U kujtoi vështirësitë qytetarëve para se të shkojnë për të votuar.

“A jeni të vetëdijshëm? Nëse këta mbeten në pushtet, në vend do të vijnë edhe 10 milionë refugjatë të tjerë.  Nëse mbeten këta, Dollari do të këmbehet me 30 Lira.  Do të vuani për të siguruar bukën”.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Turqi do të mbahet më 28 Maj. Të shtunën do të nisë votimi i emigrantëve proces që do të zgjasë 4 ditë. Qytetarët me të drejtë vote kanë mundësi të zgjedhin mes presidentit aktual Recep Tayyip Erdogan si dhe kandidatit të opozitës Kemal Kilicdaroglu.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share