Kryetari i Kuvendit Jovan Mitreski i ka nënshkruar vendimet për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në vitin 2024. Zgjedhjet e shtatë presidenciale duhet të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet parlamentare janë caktuar për 8 maj, kur mbahet edhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Pas nënshkrimit të vendimeve Mitrevski tha se beson që në periudhën e ardhshme zgjedhore, të gjitha institucionet kompetente, si dhe të gjitha subjektet e përfshira, do të kontribuojnë për të pasur një proces zgjedhor të drejtë dhe demokratik.
“Ne si shtet kemi vendosur standarde të cilat vetëm duhet t’i avancojmë dhe përmirësojmë dhe në asnjë rast nuk duhet të lejojmë që të kthehemi pas. Votimi në zgjedhje, pra mundësia që qytetarët të shprehin mendimin e tyre përmes fletës së votimit, është akti suprem i demokracisë. Është një mundësi që qytetarët të përcaktojnë të ardhmen e tyre me votën e tyre. Jam i bindur se në këto zgjedhje qytetarët do të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe do të zgjedhin të ardhmen që dëshirojmë dhe që e meriton vendi ynë”, është shprehur Mitreski./tvklan.mk