Shkupi nikoqir i Asamblesë Parlamentare të NATO-s! Mickoski: Mekanizma që kontestet dypalëshe të mos pengojnë qëllimet kolektive!

Tragjedia në Koçanë tregoi se solidariteti nuk është vetëm fjalë, por edhe vepër që lidh popujt – deklaroi Kryeministri Mickoski në Kuvendin e RMV-së gjatë mbajtjes së takimit të rregullt vjetor të Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Sipas Mickoskit, duhet të mendohet për vendosjen e mekanizmave që nuk do të lejojnë që kontestet dypalëshe të paraqesin pengesë në realizimin e qëllimit kolektiv dhe të përbashkët.

HRISTIJAN MICKOSKI – KRYEMINISTËR

“Miqtë ndihmohen, por miqtë sinqerisht tregojnë ndjenjat e dhe vërejtjet e tyre. Vlerësoj se duhet të mendohet edhe për mekanizmat që nuk do të lejojnë që kontestet dypalëshe të pengojnë qëllimet e përbashkëta dhe kolektive. Nëse bashkë ruajmë shtëpinë, atëherë bashkë kemi të drejtë t`i themi problemet, zhgënjimet dhe pritjet tona. Ne do të mbetemi partner lojal dhe bashkë e me përkushtim do të punojmë për realizimin e qëllimeve kolektive”

Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, potencoi se takimi i Komitetit të Përhershëm, që për herë të parë organizohet në RMV, paraqet një sinjal të fuqishëm për përforcimin e bashkëpunimit me aleatët, transparencën dhe demokracinë parlamentare.

VLADO MISAJLOVSKI – MINISTËR I MBROJTJES

“Investimi në kapacitetet dhe strukturat mbrojtëse është një segment krucial. Mbetemi të përkushtuar për investim stabil në mbrojtje me ndarjen e 2% të BPV-së dhe mbi 32% për pajimin dhe modernizimin e Armatës”

Ndryshe, Asambleja Parlamentare e NATO-s vendos lidhje thelbësore midis NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare të Aleancës, siguron transparencë më të gjerë të politikave të NATO-s dhe kontribuon që të përforcohen vlerat transatlantike të Aleancës.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share