SPASOVSKI: KEMI PERSONA TË DYSHUAR PËR KËTO DENONCIME
Sot sërish ka pasur alarm për bomba të vendosura në disa shkolla fillore. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski tha se këto paralajmërime dërgohen me VPN nga Zvicra ndërsa shtoi se hetimet për këto raste janë drejt fundit dhe se ka tashmë persona të dyshuar.
Mëngjesin e sotëm, tre shkolla fillore në Shkup dhe një në Kriva Pallankë, në adresat e tyre elektronike, kanë marrë paralajmërime për bomba. Ministria e Brendshme informoi se, janë realizuar kontrollet e nevojshme në lidhje me këto paralajmërime dhe pas kontrolleve të realizuara, është konfirmuar se bëhet fjalë për denoncime të rrejshme.
“Denoncimi në Petrovec, praktikisht është denoncim prej mbrëmë që ka ardhur në emailin e drejtoreshës, drejtoresha mbrëmë nuk e ka parë emailin dhe sot ka paraqitur se ka paralajmërim për një shkollë “Koço Racin”. Me që kemi më shumë shkolla me emrin “Koço Racin”, duhej t’i kontrollonim të gjitha. Do të duhet të mendohet seriozisht për sigurimin e atyre objekteve. Sipas informatave që kam, këtu në Shkup vetëm njëra prej shkollave të mesme ka sigurimin e vet dhe aty nuk është paraqitur asnjëherë se ka denoncim të rrejshëm për bombë” – tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski tha se, hetimi për paralajmërimet e rrejshme për bomba është afër fundit dhe tashmë kemi persona të dyshuar dhe menjëherë pas vërtetimit të këtyre fakteve do të punojmë së bashku me Prokurorinë. Siç theksoi ministri, paralajmërimet më së shpeshti dërgohen prej adresave të mbrojtura prej jashtë vendit.
“Është realizuar menjëherë komunikim edhe me vendet partnere edhe me organizatat partnere – Interpol, Europol dhe gjithë të tjerat të cilat i kemi. Bëhet fjalë për lidhje VPN të cilat janë nga Zvicra dhe për këtë do të duhet që të merren informata dhe të dhëna përmes ndihmës ndërkombëtare juridike sepse, shtetet nuk duan t’i ndajnë” – tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Paralajmërimet për bomba të rrejshme nëpër shkolla filluan dy muaj më parë. Sipas ministrit të brendshëm, bëhet fjalë për sulme hibride dhe qëllimi i tyre është që të shkaktojnë pasiguri, panik dhe frikë të qytetarët dhe për nxitur tensione të caktuara. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Teuta Buçi