Shkup, protestojnë të larguarit nga puna në NP “Higjiena Komunale”: Në mesin e të përjashtuarve, 90% shqiptarë

Grupi i të larguarve nga puna apo që nuk iu është vazhduar kontrata në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” në Shkup, kanë reaguar kundër drejtores së re të kësaj ndërmarjeje, Kosana Mazneva. Milaim Aliu, ish i punësuar në “Higjiena Komunale”, ka lexuar letrën me kërkesa të ish të punësuarve drejtuar drejtores Mazneva dhe Kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

Sipas Aliut, Mazneva ka lënë në rrugë 112 persona me mosvazhdimin e kontratave të punës, të cilat kishin skaduar më 4 nëntor 2022.

“Kemi ardhur të protestojmë për ata që në mënyrë të ndershme dhe me dinjitet i kanë kryer detyrat e punës. Për ata që ishin në sistem dhe me angazhimin e tyre kanë dhënë kontributin e vet në punën e suksesshme të Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale -Shkup. Shikoni, të punësuarit në Ndërmarrjen Publike Higjiena Komunale – Shkup edhe pa i përjashtuar nga puna kanë probleme të mëdha ekzistenciale. Përmbarues, kredi ndaj bankave dhe nëse ata me këso lloj problemesh i lini pa një copë buke, ata dhe familjet e tyre i sillni në një situatë dëshpëruese. Është përjashtuar kolegu ynë jurist, bashkë me bashkëshorten e tij. Bashkëshortes së tij i është ndërprerë Kontrata pas 5 vitesh punë në Higjienën Komunale. Është përjashtuar edhe kolegu ynë, i cili me rrogën e tij, krahas familjes së vet, i mban edhe fëmijët e vëllait të tij, i cili vdiq para 3 muajsh në moshën 35 vjeçare. Është përjashtuar njeriu i cili 8 vjet punon larës i kamionëve nën qiell të hapur verë e dimër”, thuhet në reagimin e lexuar nga Milaim Aliu, ish Ndihmësdrejtor në “Higjiena Komunale”-Shkup.

Sa i përket arsyetimeve të Drejtores së këtij institucioni, Kosana Mazneva se këto kontrata nuk janë vazhduar për të kursyer në kohë krize dhe se largimet nuk janë bërë në baza etnike apo fetare, Aliu e kundërshton, duke e pohuar të kundërtën.

“Në mesin e të përjashtuarve ka mbi 90 % shqiptarë. Në mesin e të përjashtuarve e keni gruan e vetme me mbulesë në HK. Grua, e cila detyrat e veta të punës i ka kryer me nder dhe me ndërgjegje të plotë. Dhe është përjashtuar pas 5 vjet përvojë pune. Domethënë, i ndan të punësuarit edhe për nga përkatësia nacionale, fetare dhe partiake”, deklaroi Milaim Aliu.

Protestuesit kërkuan plotësimin e tre kërkesave të tyre, si: Kthimi në punë të të gjithë të larguarve përveça atyre që nuk e kanë respektuar orarin e punës, t’u mundësohet takim me kryeataren, Danella Arsovska dhe që të hapet procedurë për transformimin e Kontratave të tyre për themelimin e marrëdhënies së përhershme të punës./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share