SHAQIR EF. FETAI: MBROJTJA E VLERAVE FAMILJARE OBLIGIM FETAR
Mesazhe për parandalimin e migrimit dhe mbrojtjes së familjes u dhanë nga Kryetari i BFI, Shaqir ef. Fetai në ceremoninë qendrore të Kurban Bajramit, e cila u mbajt të mërkurën më 28.06.2023, nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame.
Manifestimi qendror i faljes së Namazit të Bajramit, në organizim të Bashkësisë Fetare Islame, u mbajt në Xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup, njofton KlanM.
Kreu i BFI-së, Shaqir Ef. Fetai në mesazhin drejtuar besimtarëve u bëri thirrje të gjithë faktorëve relevant në vend, që t`i bashkojnë forcat dhe idetë e të fokusohen drejt gjetjes së zgjidhjeve të cilat do të parandalojnë migrimin e kuadrove të reja nga vendi.
“Të flijosh në ditët e sodit, nënkupton që tërë kapaciteti dhe angazhimi jonë si shoqëri duhet të orientohet në gjetjen e mundësive për ndaljen e migracionit dhe parandalimin e largimit të kuadrove të reja nga të gjitha sferat e jetës. Kjo plagë e kahmotshme mund të ndërpritet vetëm duke krijuar kushte dhe mundësi ku rinia ta gjejë perspektivën e vetë në këtë nënqiell” – Shaqir Ef. Fetai.
Mbrojtja e vlerave tradicionale familjare si në strukturë ashtu edhe në moral është bërthama e shoqërisë së shëndoshë – u tha mediave kreu I BFI-së, duke komentuar ligjet e debatueshme për barazinë gjinore dhe evidencën amë. Sipas Fetait, sic njofton KlanM, në mbledhjen e krerëve të bashkësive fetare në vend, të cilët në Zyrat e Rijasetit të BFI u takuan më datë 07.05.2023 u miratua vendimi se ligjet që janë në kundërshtim me parimet fetare nuk do të përkrahen.
“BFI historikisht, në të kaluarën, aktualisht dhe në të ardhmen, gjithnjë do të qëndrojë në mbrojtje të vlerave: fetare kombëtare, morale dhe shpirtërore, sepse mbrojtja e këtyre vlerave është obligim fetar për mbrojtjen e shoqërisë njerëzore” – tha Shaqir Ef. Fetai.
Por, kreu I BFI-së, kishte edhe informacione tjera nga Qeveria dhe Kuvendi.
“Në bazë të informacioneve që kemi nga Qeveria dhe Parlamenti, se propozim ligjet e kodit civil, janë tërhequr nga procedurat e mëtejmë dhe për këtë e përgëzojmë Qeverinë që ka ndërmarrë një hap të tillë” – tha Shaqir Ef. Fetai.
Manifestimi Qendror i Kurban Bajramit filloi me leximin e Kuranit Fisnik, pastaj vijoi falja e namazit të sabahut.
Programi festiv i Korit të BFI vazhdoi me ilahi të përzgjedhura dhe deri në kohën e ardhjes së namazit të Bajramit.
Në ditën e dytë të festës së Kurban Bajramit, e enjte 29.06.2023, në ora 16:00, Bashkësia Fetare Islame organizon pritjen tradicionale të “Bakllavës së Bajramit”. /KlanMacedonia/