Shkup: Kryqi i Kuq promovoi rezultatet e fushatës së ndihmës së parë

28.000 NXËNËS TË SHKOLLAVE TË MESME DHE FILLORE TË PËRFSHIRË NË KËTË PROJEKT

Tre pacient të lënduar, njëri pa ndjenja dhe i lënduar në kokë, njëri me prerje në këmbë dhe një tjetër i cili kishte atak epileptik.

Ishin tre nxënës vullnetarë të kryqit të kuq që sot në qendër të Shkupit luajtën këto role përderisa nxënës tjerë të shkollës fillore Ismail Qemali të Çairit po vinin në praktikë atë që kishin mësuar për të dhënë ndihmën e parë në raste të tilla.

Nën moton “Ndihma e parë shpëton jetë” e destinuar për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot nga Kryqi i Kuq promovuan rezultatet e fushatës së ndihmës së parë.

“Mes tjerave sot bëjmë edhe promovimin e rezultateve të një fushate të cilën e organizuam vitin e kaluar e cila mbaroi këtë vit në fund të marsit, që kishte të bëjë me promovimin e vlerave të ndihmës së parë dhe ishin të përfshira shkollat e mesme dhe fillore dhe ishin të përfshirë 28.000 nxënës dhe me kënaqësi sot mund të them se ia arritëm qëllimit tonë” – tha Sait Saiti, sekretari i përgjitshëm i kryqit të Kuq të RMV-së.

28.000 nxënësit e përfshirë në këtë projekt, nga shumë shkolla fillore dhe të mesme të vendit mësuan se si të ofrohet ndihma e parë dhe sot para ekipeve profesionist prezantuan në praktikë atë që kishin mësuar e që ishte projekt i organizuar nga Kryqi i Kuq i RMV-së dhe me përkrahje të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Qëllimi kryesor i fushatës ishte ndërgjegjësimi i popullatës së re për rëndësinë e ndihmës së parë si një aftësi jetë shpëtuese. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share