Shkup: Fon Der Lajen për ndihmë energjetike evropiane

MARRËVESHJA E PARË RMV-BE – “FRONTEKS” NË GJUHËN MAQEDONASE

Marrëveshja për menaxhim kufitar dhe bashkëpunim në mes Agjencisë Evropiane për kontroll kufitar dhe detar – FRONTEKS dhe Maqedonisë së Veriut, e cila do të nënshkruhet sonte në Shkup është dokumenti i parë zyrtar në mes Brukselit dhe Shkupit, pas vendimit për fillimin e negociatave aderuese, e nënshkruar në gjuhën maqedonase. Ndihmën nga forcat kufitare evropiane në përballjen me valën e emigrantëve në Ballkan, deri më tani Maqedonia e Veriut e ka rregulluar me marrëveshje dypalëshe me vendet e BE-së, për shkak të kundërshtimit të Bullgarisë në lidhje me përdorimin zyrtar të gjuhës maqedonase në BE.

Shkupi është pika e parë e turneut ballkanik të Ursula Fon Der Lajenit, Kryetare e Komisionit Evropian, e cila sonte në mes tjerash do të marrë pjesë edhe në nënshkrimin e marrëveshjes për menaxhim të kufijve në mes Maqedonisë së Veriut dhe Agjencisë Evropiane Fronteks. Policia kufitare evropiane tashmë disa vite u ndihmon forcave të Maqedonisë së Veriut për kontrollin e valës së emigrantëve në “rrugën ballkanike”, por kundërshtimi i Sofjes zyrtare për përdorimin e gjuhës maqedonase, nga viti 2018 ka qenë pengesa që kjo të rregullohet me marrëveshje evropiane. Pas vendimit për fillim të negociatave dhe organizimit të konferencës së parë ndërqeveritare Shkup-Bruksel, në korrik të këtij viti, marrëveshja me FRONTEKS është testi i parë për tejkalimin e bllokadës nga Sofja. Sonte pritet të nënshkruajnë Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme Ilva Johanson.

“Nënshkrimi i marrëveshjes për statusin e FRONTEKS paraqet edhe një hap në thellimin e marrëdhënieve në mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo do të sjellë përfitime praktike përmes përmirësimit të sigurisë kufitare të vendit. Marrëveshja është në gjuhën maqedonase, si dhe në të gjitha 24 gjuhët e BE-së, ndërsa secili prej versioneve gjuhësore është valid në mënyrë të barabartë”, thonë nga delegacioni i BE-së në Shkup.

Përndryshe, Fon der Lajen në Ballkan vjen me “pakon” e ndihmës evropiane për zbutjen e krizës energjetike, i cili sipas paralajmërimeve paraprake, është në vlerë një miliardë euro.

“Kryetarja Fon der Lajen do të prezantojë edhe mbështetje shtesë nga BE-ja për Maqedoninë e Veriut dhe për rajonin që të ndihmojë në zbutjen e ndikimeve të krizës aktuale energjetike. Duke punuar së bashku, BE-ja dhe Maqedonia e Veriut do të përpiqen të përballen me sfidat aktuale në sektorin energjetik dhe ta ulin ndikimin e tyre në vend dhe te qytetarët e tij”, thonë nga delegacioni i BE-së në Shkup.

BE-ja deri më tani ka investuar miliona euro, përmes granteve dhe huave të volitshme, për përparim në sektorin energjetik në vend dhe në rajon, në pajtueshëmri me qëllimet ekologjike. Para evropiane janë investuar në fushat e diellit Oslomej 2 dhe centralin fotovoltaik në Manastir, për parkun e mullinjve të erës në Bogdanci , për ndërlidhjen e korridorit energjetik nga Bullgaria deri në Itali, me projekte të gjelbërta dhe programe për ndihmën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për efikasitet energjetik dhe bashkëpunim ndërkufitar. Megjithatë, kalimi drejt burimeve të pastra të energjisë në Maqedoninë e Veriut ecën shumë ngadalë dhe për këtë arsye vështirë zbuten pasojat e krizës aktuale energjetike që lidhet me agresionin rus në Ukrainë./KlanMacedonia/

Gazetare: Biljana Georgievska

 

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share