Shkrimtari Rushdie rrëfehet për sulmin me thikë kur humbi syrin

Sir Salman Rushdie ka folur në detaje për atë që i kujtohet rreth sulmit me thikë para dy vjetësh.

Shkrimtari ishte sulmuar me thikë në skenë dhe ka humbur syrin e djathtë.

“Mendoja se po vdisja. Fatmirësisht, isha gabim”, ka thënë ai në një intervistë për BBC-në.

Rushdie ka thënë se ka përdorur librin e tij të ri “Thika” si reagim ndaj asaj që ka ndodhur para dy vjetësh, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Rushdie, i cili ka lindur mysliman dhe është ateist, për kohë të gjatë ka ngritur zërin për lirinë e shprehjes. Mirëpo tani ka paralajmëruar se “është bërë shumë e vështirë”.

“Shumë njerëz, përfshirë të rinjtë, më vjen keq të them, por kanë formuar mendim se masat ndaj lirisë së fjalës janë shpesh ide të mira”, thotë ai.

Sulmi ndaj tij ndodhi në një institut arsimor në New York më 22 gusht të vitit 2022. Po përgatitej për ligjëratë.

Ai kujtoi se i sulmuesi erdhi duke vrapuar dhe e theri 12 herë me thikë, përfshirë në qafë dhe abdomen. Sulmi ka zgjatur 27 sekonda.

“Nuk mund ta luftoja. Nuk mund të ikja nga ai”, ka thënë shkrimtari.

Rushdie ka rrëfyer se ka rënë përtokë dhe se kishte plot gjak.

Autori me prejardhje indiane, 76-vjeçar, është njëri prej shkrimtarëve më me ndikim në kohën moderne.

Rushdie ka kaluar disa vjet duke u fshehur pas publikimit të romanit “Vargjet Satanike” në vitin 1988 që nxiti reagime të ashpra në botën islame.

Ai ka thënë se kishte çuar nëpërmend se një ditë dikush mund ta sulmonte.

“Do të ishte absurde që të mos e mendoja një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Ka rrëfyer se kishte makth rreth sulmit dy ditë para se të ndodhte. Si rezultat, nuk donte të mbante ligjëratën.

“Pastaj mendova: ‘është veç ëndërr. Plus po më paguajnë mirë. Të gjithë kanë blerë biletat. Duhet të shkoj’”, ka thënë veç të tjerash Rushdie.

Therja me thikë ia ka dëmtuar Rushdies veshkat dhe duart dhe disa nerva të syrit të djathtë.

“Syri im kishte dalë jashtë, rrinte varur në faqe. Do të thosha se dukej sikur ve jo e zier mirë. Dhe i verbër”, ka thënë ai.

Autori ka rrëfyer se humbja e njërit sy “më shqetëson çdo ditë”. Atij i duhet shumë kujdes kur zbret shkallët, kalon rrugët ose kur shpëlan fytyrën me ujë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share