VALËT E TË NXEHTIT ME SIGURI DO TË JENË “NORMALE” NË TË ARDHMEN
Fëmijët duhet të kenë më shumë orë mësimore që u dedikohen ndryshimeve klimatike dhe sqarime të thelluara për këtë temë, konsiderojnë ekspertët britanikë, duke vënë në dukje se programet e tanishme mësimore i lënë të rinjtë të papërgatitur për jetë në një botë që vazhdimisht ngrohet. Valët ekstreme të të nxehtit në veri të Evropës, siç pati gjatë ditëve të kaluara, ose temperatura mbi 40 gradë dhe zjarre, siç ka tani në jugun e kontinentit – do të mund të jenë të zakonshme në dekadat që vinë, thonë shkencëtarët.
Fëmijët në Evropë mësojnë për ndryshimet klimatike në orët e gjeografisë ose të shkencave natyrore, por gjithnjë e më shumë aktivistë të ekologjisë rekomandojnë që kjo temë të mësohet në mënyrë më të thelluar dhe më gjithëpërfshirëse edhe në orë të posaçme, sepse ndryshimet klimatike ndikojnë në çdo aspekt të jetës. Aktivistja 18-vjeçare Skarlet Vestbruk kërkon ndryshime thelbësore në programet mësimore dhe për këtë arsye ka hartuar një propozim-ligj të cilin ia ka drejtuar edhe Parlamentit në Londër.
“Unë shkruaj mjaft për politikat në këtë temë. Fëmijët meritojnë të jenë plotësisht të përgatitur për jetë dhe për punë në planetin që ngrohet vazhdimisht. Ndryshimet klimatike nuk kanë të bëjnë vetëm me natyrën, por edhe me njerëzit, kanë të bëjnë me ekonominë , me politikën, me historinë dhe me artet – ndërsa ne për gjithë këtë duhet të mësojmë,” deklaroi Scarlet Vestbruk, Eko Aktiviste.
Të rinjtë shpesh pranojnë se nuk janë të përgatitur për ballafaqim me të gjitha aspektet e ndryshimeve klimatike dhe nuk kanë informacione të mjaftueshme, as në mënyrë gjithpërfshirëse nuk mësojnë për këtë temë.
“Unë kam qenë pjesë e protestës për klimën në Britani. Mendoj se sistemi arsimor duhet të fokusohet në krizën klimatike nga këndvështrime të ndryshme. Madje edhe përmes lëndëve të reja. Në këtë mënyrë gjeneratat e ardhshme do të jenë të përgatitura të përballen me efektet e ndryshimeve klimatike dhe nuk do të kthehen pas,” deklaroi Scarlet Vestbruk, Eko Aktiviste.
Hulumtimi i paradokohshëm i kryer nga grupi “Mësoni për të ardhmen” tregon se 51% e mësuesve konsiderojnë se lënda e tyre nuk sqaron mjaftueshëm për ndryshimet klimatike ose jo mjaftueshëm qartë dhe në mënyrë relevante, por edhe se rreth 60% e të rinjve në dhjetë shtete ndjehen shumë të shqetësuar për shkak të ndryshimeve klimatike./KlanMacedonia/