Shkëmbim mes tre policëve të rrëmbyer dhe kriminelit serb të arrestuar në Kosovë? Kurti: Nuk bëjmë pazare

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kryeministri i Kosovës, doli në një konferencë për mediat ku kërkoi lirimin urgjentisht të tre policëve që u rrëmbyen nga policia serbe.

Ai tha se ata ka qenë në një rrugë që dikur ishte ilegale dhe janë parandaluar e ndaluar kontrabanda të ndryshme. Sipas Kurtit, përballë kanë pasur njësitet e specializuara serbe.

I pyetur për një shkëmbim të mundshëm mes tre zyrtarëve policorë dhe Milun Milenkoviç-Llunes të arrestuar disa ditë më parë nga autoritetet kosovare, Kurti u përgjigj duke thënë se në Kosovë ka sundim ligji dhe “nuk bëjnë pazare”.

Ai u kërkoi gazetarëve që të mos flasin në emër të Beogradit zyrtar dhe se këta të fundit nuk kanë paraqitur ndonjë kërkesë të tillë.

“Tre policët që janë rrëmbyer janë rrëmbyer nga njësia ‘Kobra’ dhe njësia speciale antiterror. Kanë qenë aty në një rrugë që dikur ishte ilegale, pikërisht zyrtarë policorë që merren me parandalimin dhe ndalimin e kontrabandës. Përballë kanë pasur njësitet e specializuara të ushtrisë dhe xhandarmërisë së Serbisë. Në anën tjetër ne kemi një kriminel serb si Llune që nuk është bërë kriminel as me 26 Maj, as me 29 Maj, por ka dosje të trashë të shkeljeve ligjore, veprave penale, të krimeve të kryera në Kosovë. Në Kosovë ka sundim ligji, ka Republikë demokratike. Është e vërtetë që arrestimi i Llunes i ka hedhur në panik të gjithë kriminelët. Ata nuk kanë mundur që ta imagjinojnë që dikush si Llune të arrestohet. Nuk kanë besuar që kjo do të ndodhë ndonjëherë. Është paniku i madh i kriminelëve që është shndërruar në hakmarrje të Serbisë. Nuk krahasohen këto dy raste. Dhe tek ne ka sundim ligji, ne nuk bëjmë pazare. Nuk di që Beogradi ka kërkuar ndonjë farë shkëmbimi. Nuk po e kuptoj pse keni nevojë ta thoni? Shkëmbimi mund ta kërkonte Beogradi, por mos e përfaqësoni atë. Jeni qytetarë të Republikës së Kosovës, jeni gazetarë të këtij vendi. Nuk keni nevojë të paraqitni një kërkesë të Beogradit karshi Republikës demokratike të Kosovës. Për çfarë shkëmbimi jeni duke folur? Kush e ka kërkuar atë? Ne jemi vend demokratik edhe i lirë. Kosova është vendi me lirinë më të madhe të mediave në rajon. Kur flisni ju kisha sugjeruar, mos flisni në emër të Beogradit zyrtar duke imagjinuar kërkesat e mundshme të tyre më vonë sepse nuk i kontribuoni as lirisë së mediave dhe as sigurisë në vend”, u shpreh Kurti./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share