Shkarkohet Ilire Dauti! VMRO-ZNAM-LEVICA votuan “PËR”

Me shumicë votash, VMRO-DPMNE, ZNAM dhe Levica kanë shkarkuar nga posti i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. E para shkarkimit, deputetja Dauti kishte thënë se beson fuqishëm se një ditë, Ligji për UÇK-në do të miratohet një ditë në Kuvendin e Maqedonisë. Ajo gjatë ditës ka deklaruar se asnjëherë nuk do të heqë dorë dhe do të rezistojë deri në fund për barazinë e ish ushtarëve të UÇK-së me “Branitellat”.

“Do të vijë dita një ditë që edhe ligji që do t’i trajtojë në mënyrë të barabartë edhe ushtarët e UÇK-së sikurse Forcat e Sigurisë do të kalojë në këtë Kuvend. Edhe një gjë tjetër, jam edhe kolege e pesë dëshmorëve, student, kolegë të mi që ju bashkëngjitën luftës çlirimtare pikërisht në vitin 2001 dhe ata jo që vetëm ju ndërprenë studimet por edhe ju ndërpre edhe vet ëndrra për jetë”, tha Ilire Dauti.

E deputetët e VMRO-së dhe ZNAM nuk e dëgjuan apelin që ua dërgoi pak para votimit, deputeti i VLEN, Halil Snopçe.

“Lidhja Social Demokrate duhet të jep kontribut direkt për këtë duke e tërhequr ligjin. Ftoj edhe VMRO-DPMNE-në dhe partnerët e koalicionit ZNAM së paku të mos votojnë aspak përshkak se me votimin, nuk i kontribuojnë të mirës dhe të drejtës së përgjithshme në shtet”, u shpreh Snopçe.

Snopçes para votimit i replikoi, koordinatori i Frontit Europian, Blerim Bexheti. Sipas Bexhetit, fajtori kryesorë për këtë situatë të krijuar dhe përgjegjës kryesorë është Afrim Gashi.

“Asnjëherë nuk është vonë që ta ndaleni dhe rishikoni veprimin dhe pozicionin. Në aspekt të regullores, është shumë e thjeshtë, mos u lodh ta lutësh LSDM-në, ka mundur ky zotëria këtu t’ja merr kompetencat Ilire Dautit nëse ka pasur shqetësim me vota në atë komision siç i kaloni shumë ligje, bashkë me patronët tuaj të VMRO-së ta refuzonit ligjin në atë komision dhe ky debat do mbyllej”, deklaroi Bexheti.

Ndryshe, debati për shkarkimin e Ilire Dautit ka filluar gjatë ditës pas përfundimit, tashmë vazhdon debati për interpelancën e dytë, që është për zv. kryeministrin Izet Mexhiti. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share