Nis prodhimi i bluzave me 3 yjet e kupave të fituara
Kupa e Botës në Katar ishte kurorëzimi i ëndrrës së Argjentinës për t’u bërë sërish kampione e botës pas 36 vitesh. Pasioni me të cilin tifozët ndoqën Messin dhe shokët e tij u dallua në stadiumet e Katarit, gjë që bëri që kjo kombëtare ta luante praktikisht finalen kundër Francës, sikur të ishte në shtëpi. Dhe i gjithë ky pasion është transmetuar edhe në shitjet e bluzave të Argjentinës.
Siç raportojnë mediat argjentinase, Adidas, sponsor teknik i kombëtares, raportoi një rritje prej 55% të shitjeve, një rezultat i papritur. Kërkesat kanë qenë aq të shumta sa nuk ka qenë e mundur të plotësohen për të gjithë. Por ky entuziazëm nuk ndalet dhe kështu Adidas është gati të lançojë një edicion të ri të fanellës së Argjentinës: atë me yllin e tretë, që përfaqëson fitoren e Botërorit të tretë, pas atyre të 78-ës dhe 1986-ës.
Fanella që do të shitet duke filluar nga e hëna e 26 Dhjetorit, do të ketë jo vetëm tre yjet por edhe stemën e artë të FIFA-s dhe fjalët “Champions 2022”. Fanella është e njëjta që kemi parë gjatë festimeve të lojtarëve në barin e stadiumit Lusail. Tashmë ka filluar prodhimi, por ende nuk është përcaktuar çmimi i shitjes.
Bashkëpunimi i Adidas me kombëtaren e Argjentinës daton që prej vitit 1974. Fitorja e kupës së botës ka bërë që federata vendase të arkëtojë rreth 50 milionë dollarë, një rekord i të gjitha kohërave. Këtu nuk llogaritet marrëveshja prej 30 milionë dollarësh me Adidas.
Tv Klan