Shi dhe stuhi në zonat bregdetare në Shqipëri

Largohen pushuesit nga zonat e Vlorës dhe Durrësit

Zonat bregdetare në jugun e Shqipërisë janë pushtuar nga reshjet e shiut. Të gjitha plazhet e qytetit në Vlorë janë boshatisur nga pushuesit dhe turistët të cilët si rrjedhojë e shiut janë larguar me shpejtësi. Administratorët privatë të plazheve kanë zgjedhur që çadrat dhe shezlongët t’i mbyllin dhe t’i sigurojnë nga era e fortë bregdetare e cila vijon prej disa orësh në bregdet.

Ndryshimi i motit është shoqëruar me largimin e pushuesve vendas por edhe turistëve të huaj nga plazhi në qytetin e Vlorës. Largimi i pushuesve dhe turistëve ka shkaktuar trafik në rrugët e qytetit të Vlorës sidomos në Lungomare.

Moti i keq shoqëruar me shi dhe stuhi ere, bëri që edhe bregdeti i Durrësit të braktiset përkohësisht nga pushuesit. Si asnjëherë më parë, e gjithë vija bregdetare është zbrazur nga frekuentuesit, ngjashëm me një ditë dimri. Bizneset private kanë mbyllur plazhet, për shkak se era e fortë nuk ka lejuar zhvillimin e aktivitetit ditor.

Stuhia e erës ka pushtuar plazhin e Divjakës rreth orës 11:30 të kësaj të premteje. Gjithsesi të gjithë mbeten në pritje të përmirësimit të motit për t’ju rikthyer bregdetit dhe shijimit te sezonit veror.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share