SHGM: Qeveria nuk duhet të fshehë informacione publike nga gazetarët

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon qëndrimin injorues të Departamentit për Marrëdhënie me Publikun dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë ndaj mediave lidhur me vendimin e miratuar së fundmi nga ana e qeverisë për bashkimin e koncesioneve për minierën e Illovicës.

SHGM-ja ka pranuar disa ankesa nga gazetarët të cilët edhe përkundër të gjitha përpjekjeve nuk kanë arritur të marrin detaje se çfarë ka ndodhur në seancën e Qeverisë të mbajtur më 27 qershor 2023, në të cilën është propozuar dhe miratuar vendimi, për të cilin ka interesim të madh publik. Të motivuar nga rëndësia e çështjeve për qytetarët, disa kolegë gazetarë kërkuan të merrnin më shumë detaje se si shkoi diskutimi, bazuar në një pasqyrë të shënimeve të transkriptit nga kjo seancë.

Në vend të përgjigjes, Zyra e Zëdhënësit të Qeverisë ndau me publikun një arsyetim se sipas nenit 94, paragrafi 6 i Rregullores së Punës së Qeverisë, nuk mund të japin pjesë nga transkripti. Për të mos lënë përshtypjen se kjo procedurë nga ana e Qeverisë është tentativë për të fshehur informacione të një rëndësie të veçantë për publikun, SHGM-ja kërkon që transkripti menjëherë të vihet në dispozicion të gazetarëve, e përmes tyre edhe të gjithë qytetarëve.

Krahas kësaj, SHGM-ja vë në dukje edhe një devijim serioz të Qeverisë në fushën e transparencës, duke pasur parasysh se faqja zyrtare në rubrikën për procesverbalet e seancave të qeverisë nuk është përditësuar për më shumë se dy muaj, duke pasur parasysh se procesverbali i fundit daton nga 17 maji 2023.

Ju kujtojmë se qasja e gazetarëve në informacion të saktë dhe në kohë është thelbësore që qytetarët të bëjnë një zgjedhje të informuar dhe të angazhohen në mënyrë aktive në diskursin publik.

Kur qeveria fsheh detajet e seancave të saj të punës, ajo pengon aftësinë e publikut për të kuptuar arsyetimin pas vendimeve të politikave dhe implikimet e mundshme për jetën e tyre.

Theksojmë se gazetarët dhe mediat e informuara janë jetike për një demokraci funksionale. Pa qasje në informacion gjithëpërfshirës, aftësia e gazetarëve për të përmbushur rolin e tyre demokratik pengohet rëndë, duke e privuar publikun nga një burim thelbësor i lajmeve të pavarura dhe të ndryshme.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share