Sherri në TikTok, plagosen me armë zjarri dy të rinjtë në Durrës

Dy të rinj kanë mbetur të plagosur me armë zjarri pas mesnate në qytetin e Durrësit. Policia ka njoftuar se të plagosur kanë mbetur Jurgen Vrioni dhe Arben Haxhiu, të dy nga 21 vjeç. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në rrjetin social TikTok.

Dyshohet se autor i kësaj ngjarje është Klajdi Mansaku, 25 vjeç. Nga veprimet e para hetimore rezulton se Mansaku rreth orës 22:30 ka debatuar në telefon me Mario Vrionin, kushëri i të plagosurit Jurgen Vrioni. Mansaku i ka lënë takim Vrionit për t’u sqaruar në afërsi të banesës së tij.

Mario Vrioni ka shkuar në vendin ku ishte lënë takimi dhe ka marrë me vete kushëririn e tij dhe shokun Arben Haxhiu. Por kur Mansaku ka parë këta persona duke u afruar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së Mario Vrionit, i cili është me precedentë penal për narkotikë dhe drejtim automjeti pa leje drejtimi. Pas kësaj është larguar menjëherë.

Si pasojë e të shtënave, dyshohet nga plumb rikoshet, u lënduan Jurgen Vrioni dhe Arben Haxhiu. I pari ka dalë nga spitali, ndërsa Haxhiu aktualisht po merr ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Policia thotë se ka ngritur pika kontrolli për të zbuluar ku gjendet 25-vjeçari. Ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share