Shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe! Qeveria me Akademi Solemne për 22 Nëntorin

Në kuadër të shënimit të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe qeveria e RMV-së organizoi akademi solemne për nderë të kësaj dite. Kryeministrit Mickoski duke uruar qytetarët porositi që së bashku, të punojmë për krijimin e një shoqërie të përbashkët në vend.

“Të dashur bashkëqytetarë, shkrim-leximi dhe arsimimi nuk janë luks, janë të drejta elementare dhe instrumente më të fuqishme për transformim të shoqërisë sonë. Rëndësia e tyre nuk mund të matet me numra, por ndikimi i tyre, shihet në jetën më të mirë të secilit individ dhe në përparimin e të gjithë bashkësisë. Të investojmë në shkrim-lexim, t’i hapim dyert e arsimit për të gjithë, të krijojmë shoqëri ku dituria do të jetë valuta më e fuqishme. Vetëm kështu mund të ndërtojmë shtet që do të jetë gati për të ardhshmen”, ka uruar Mickoski.

Në këtë akademi Zv.kreyministri i parë Izet Mexhiti, theksoi se debati mbi shfuqizim e gjuhës shqipe po bëhet në mënyrë tendencioze ai pret nga Gjykata Kushtetuese vendim të drejtë.

“Sivjet festimet për Ditën e Alfabetit na gjejnë në mes të një debati “të nxehur” lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në vendin tonë. Qëllimisht i nxitur për të defokusuar interesimin publik dhe për të prodhuar kriza artificiale aty ku nuk ka, ky debat është duke shkaktuar tensione të panevojshme në shoqëri e besa edhe në regjion. E kam thënë, dhe po e përsëris: asnjë e drejtë e fituar dhe e ushtruar nuk mund të abrogohet apo të kufizohet. Kësisoj, presim nga Gjykata Kushtetuese që të merret me aspektet e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe qytetarit dhe jo të lëshohet në konsiderata politike të çështjeve aktuale dhe në këtë mënyrë të kthehet në palë në vend se të ngelet arbitër i paanshëm dhe larg ndikimeve polarizuese politike kur merr vendime”, u shpreh Mexhiti.

Si një ndër datat më të rëndësishme për shqiptarët e ka cilsuar edhe presidentja e vendit Gordana Siljanovska

“Unifikimi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe nuk është vetëm akt i reformës gjuhësore, por edhe simbol i aspiratës për emancipim dhe iluminizëm. Gjuha dhe kultura shqiptare janë të ngulitura në indin tonë shoqëror dhe çelin hapësirë për mirëkuptim dhe bashkëjetesë. Respektimi i dallimeve gjuhësore na bën një shoqëri demokratike dhe multikulturore”, u shpreh presidentja Siljanovska-Davkova.

Kreu i integristeve Ali Ahmeti në këtë ditë bënë thirrje për mbrojte të gjuhës shqipe.

“Gjuhën tonë të lashtë duhet ta kultivojmë dhe ta promovojmë, të bëhemi bashkë dhe të vihemi në ballë të përpjekjeve për ta mbrojtë nga sulmet e përditshme. Deri dje punonim që ta avansojmë përdorimin e gjuhës tonë, ndërsa sot jemi vënë në pozitë për ta mbrojtur atë që e kemi arrirë. Çështja kombëtare, gjuha, flamuri, bashkimi e integrimi, kërkojnë përkushtim nga burra e gra idealistë e misionarë!”, tha Ahmeti.

Këtë ditë e kanë uruar edhe përfaqësues tjerë të politikës në vend. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share