Shënohet 120-vjetori i vdekjes së Goce Dellçevit

PËRVJETORI PA DELEGACIONE ZYRTARE NGA BULLGARIA

Delegacione nga institucione të vendit kanë vendosur kurora me lule në kishën “Shën Spasi” në Shkup, në shënimin e 120-vjetorit të vdekjes së revolucionarit maqedonas, Goce Dellçev, njofton KlanM.

“Respekt për revolucionarin maqedonas Goce Dellçev. Vizionar, ideolog dhe pararendës i veprës për çlirimin kombëtar në fund të shekullit 19 dhe fillimin e shekullit 20. Një nga personalitetet më të rëndësishme të vendit” – ka shkruar Presidenti Stevo Pendarovski në Facebook, pasi vendosi kurora me lule në varrin e Goce Dellçevit në kishën “Shën Spasi” në Shkup, me rastin e 120 vjetorit të vdekjes së tij.

Në emër të qeverisë kurora me lule ka vendosur Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, kurse delegacioni I Kuvendit udhëhiqej nga Nënkryetari Goran Misovski.

Të pranishëm ishin edhe delegacione tjera, por edhe lideri I VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

“Sot shumica do ta kujtojnë, por shumë pak publikisht do të shtrojnë pyetjen nëse shteti ka vazhduar veprën e tij” – shkruan Mickoski në Facebook.

Nuk pati paralajmërime për delegacione zyrtare nga Sofja, ashtu sic ishte më 4 Shkurt, në ditëlindjen e tij.

Ministri i Jashtëm Teknik I Bullgarisë, Nikolaj Milkov, sic njofton KlanM, javën e kaluar deklaroi se nuk do të ketë shënim të përbashkët me Maqedoninë e Veriut në 120 vjetorin e vdekjes së Goce Dellçevit.

Sipas tij, ata qytetarë bullgar që do të dëshirojnë të vizitojnë varrin e tij në Shkup, do të përballen me problemet e njëjta sikurse në shkurt.

Ndryshe, sic njofton KlanM, ditëlindja e Goce Dellçevit më 4 Shkurt, kaloi nën masa të përforcuara të sigurisë. Ministria e Jashtme bullgare reagoi se një numër të madh të qytetarëve u është pamundësuar pjesëmarrja në ngjarjen në Shkup dhe ishin ndaluar në vendkalimin kufitar “Deve Bair”.

Për shkak të shënimit të 120-vjetorit të vdekjes së Goce Dellçevit, MPB-ja që dje vendosi regjim të posaçëm trafiku, duke njoftuar se rruga “Samoilova” nën Kalanë e Shkupit, do të jetë e mbullur.

Goce Dellçevi, sic percjell KlanM, ka lindur më 4 shkurt 1872 në Kukush, kurse ka humbur jetën më 4 Maj 1903 në fshatin Banicë. Kukushi dhe Banica tani gjenden në Greqi.

Mbetjet mortore të Dellçevit, në vitet e para, ishin ruajtur në Banicë, kurse më pas ishin transferuar në Bullgari, ku kanë qëndruar deri në vitin 1946 kur dërgohen në Shkup.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share