Shembja e urës në Baltimore, çfarë raportohet për 6 të zhdukurit

Një anije e madhe mallrash humbi kontrollin nga mungesa e energjisë dhe u përplas në urën “Francis Scott Key” në Baltimorë të martën herët, duke e rrëzuar atë në ujë. Shembja e urës fundosi një grup punonjësish të ndërtimit në ujërat me temperaturë të ulët të lumit Patapsco. Ekipet e shpëtimit nxorrën dy persona, por gjashtë të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe supozohet se kanë vdekur. Ekuipazhi i anijes lëshoi alarmin përpara përplasjes me urën “Francis Scott Key”. Guvernatori i Merilendit tha se alarmi i lëshuar nga personeli i anijes u mundësoi autoriteteve të ndërprisnin trafikun e automjeteve mbi urë. Anija goditi një nga shtyllat e urës, duke shkaktuar shembjen e saj brenda pak sekondave.

Ekipet e shpëtimit nxorën dy të mbijetuar, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa vazhdojnë operacionet e shpëtimit në lumin Patapsco poshtë urës së shembur rreth 2.5 kilometra e gjatë.

Një drejtues i lartë i kompanisë, që ka punësuar gjashtë punëtorët e zhdukur, tha të martën pasdite se ata mendohet të kenë vdekur, duke marrë parasysh thellësinë e lumit, temperaturat e ulta dhe kohën që ka kaluar që nga shembja e urës.

Jeffrey Pritzker, nënkryetar ekzekutiv i kompanisë “Brawner Builders”, tha se ekuipazhi ishte duke punuar në mes të urës kur ajo u rrëzua. Asnjë trup nuk është gjetur dhe ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet.

Sipas kanalit televiziv ABC News, ekuipazhi i anijes kishte njoftuar autoritetet e Merilendit se kishte humbur kontrollin e anijes gjigande të mallrave pasi motori kishte pësuar avari, ndërsa po dilte nga porti.

Zyrtarët e qytetit Baltimorë thanë se të paktën 7 automjete kishin rënë në ujë por nuk mund të ofronin një shifër të saktë. Sekretari i Transportit të shtetit, Paul Weidefeld, tha për shtypin se përplasja e anijes kishte shkaktuar shembjen katastrofike të urës. Ai tha se përveç makinave të udhëtarëve, në urë kishte edhe punëtorë që punonin për mirëmbajtjen.

“Rreth orës 1:30 të mëngjesit, një anije mallrash që po dilte nga porti i Baltimorës goditi urën ‘Francis Scott Key’, duke shkaktuar shembjen e saj. Ekipet e ndërhyrjes së shpejtë reaguan menjëherë. Aktualisht po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit”.

Guvernatori i Merilendit, Wes Moore, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për të aktivizuar burimet federale në lidhje me fatkeqësinë. Zyra e Byrosë Federale të Hetimeve në Baltimorë shkroi në rrjetin X se punonjësit e FBI-së ndodheshin në skenën e ngjarjes. Policia e qytetit tha se aktualisht nuk kishte të dhëna për ndonjë akt terrorizmi.

Inxhinieri i urave Julian Carter tha se shembja e urës në Baltimorë ishte për shkak të strukturës së saj të veçantë, të ndërlidhur dhe dobësive në disa pika. Çdo segment i urës sipas tij, është i lidhur me një segment tjetër në pika të veçanta mbi këmbët e urës.

“Po ta shikosh mënyrën se si u shemb ura, është ajo që ne e quajmë një strukturë të vazhdueshme. Çdo pjesë e vogël është e lidhur me një pjesë tjetër. Për fat të keq është një shembje katastrofike”.

Anija e mallrave Dali, që u përplas me urën, lundronte nën flamurin e Singaporit. Zyrtarët e kompanisë që menaxhon anijen thanë se ajo u përplas me një nga këmbët mbajtëse të urës dhe se ekuipazhi dhe dy kapitenët e saj nuk kishin pësuar lëndime.

Fatkeqësia e së martës në shtetin e Merilendit mund të jetë rasti më i rëndë i incidenteve në ura që nga viti 2007, kur shembja e një ure mbi Lumin Misisipi shkaktoi vdekjen e 13 individëve.

E përuruar në vitin 1977, ura “Francis Scott Key” me katër korsi qëndronte 56 metra mbi lumë. Baltimora është porti më i ngarkuar në Shtetet e Bashkuara për import-eksportin e makinave. Sipas autoriteteve në vitin 2022, në këtë port janë përpunuar më shumë se 750,000 automjete.

Ura e gjatë 2,5 kilometra sherbente si nyje lidhëse me autostradat ndërshtetërore përreth qytetit Baltimorë, një nga portet më të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Ura mori emrin e Francis Scott Key, autorit të tekstit të himnit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

Shkrimtari Key u frymëzua për të shkruar poezinë pasi ishte dëshitar bombardimit britanik të një fortese të madhe ushtarake amerikane në Baltimorë, në vitin 1814./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share