Kryetari i Bankës Islamike të Katarit, Sheik Jassim bin Hamad al-Thani, ka bërë një ofertë të dytë për të blerë klubin Manchester United.
Një burim i afërt me ofertën tha se Sheik Jassim mbetet i sigurt për përfundimin e një blerjeje në Old Trafford, pavarësisht interesimit rival nga Sir Jim Ratcliffe dhe biznesmeni finlandez Thomas Zilliacus.
Afati i fundit për ofertat ishte caktuar në orën 21:00 të mërkurën përpara se të shtyhej. Raundi i parë i tenderimit u zhvillua muajin e kaluar dhe është raportuar se ka deri në tetë investitorë potencialë. Asnjë shifër nuk është zbuluar, por një ose më shumë nga ofertat fillestare raportohet se ishin rreth 5 miliardë euro.
Familja Glazer, e cila e bleu klubin për 850 milionë euro në 2005, njoftoi vitin e kaluar se po kërkonin “alternativa strategjike”, që mund të përfshinin një shitje.
Sheik Jassim ka thënë se interesi i tij është një iniciativë private përmes fondacionit të tij Nine Two dhe nuk është i lidhur me shtetin e Katarit. Përfaqësuesit e tij vizituan stadiumin Old Trafford javën e kaluar për bisedime.
Ratcliffe, i cili bëri një ofertë të pasuksesshme për të blerë Chelsean në vitin 2022 dhe zotëron klubin francez Nice, gjithashtu vizitoi Old Trafford javën e kaluar. 70-vjeçari ka lindur në zonën e Manchesterit dhe është një tifoz i klubit që në fëmijëri. Ai është një nga njerëzit më të pasur në Britani me një pasuri personale të vlerësuar prej 6.8 miliardë eurosh.
Biznesmeni finlandez Zilliacus konfirmoi në fillim të kësaj jave se ai gjithashtu ka paraqitur një ofertë. Ai është themelues dhe kryetar i kompanisë së investimeve Mobile FutureWorks dhe dëshiron të blejë United në një partneritet 50-50 me tifozët e tyre, të cilët supozohet se do të kishin një fjalë në procesin e vendimmarrjes në klub, shkruan Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Deri më tani dihet pak ose asgjë për ofertuesit e tjerë të mundshëm, megjithëse është raportuar se fondi mbrojtës amerikan Elliott Management ka bërë një propozim që do të përfshinte ofrimin e financave ose për ofertuesit e rinj ose për Glazers.