Shefit të “Telegram” i ndalohet largimi nga Franca, Pavel Durov duhet të paguaj 5 milionë euro garancion!

Shefi dhe themeluesi i Telegram-it, Pavel Durov, është vënë nën hetim zyrtar në Francë si pjesë e një hetimi për krim të organizuar në aplikacionin e mesazheve.

Durov, 39 vjeç është vendosur nën mbikëqyrje gjyqësore dhe duhet të paguajë një garanci prej 5 milion €. Miliarderi me origjinë ruse, i cili është gjithashtu një shtetas francez duhet të paraqitet në një stacion policie franceze dy herë në javë dhe nuk lejohet të largohet nga territori francez. Themeluesi i Telegram u ndalua fillimisht pas mbërritjes në aeroportin Le Bourget në veri të Parisit të shtunën e kaluar nën një urdhër për shkelje në lidhje me aplikacionin.

Prokurorët e Parisit kanë bërë të ditur se Durov u vu nën hetim zyrtar mbi veprat e supozuara që përfshinin: bashkëfajësi në administrimin e një platforme online për të mundësuar transaksione të paligjshme nga një bandë e organizuar, refuzimi për të komunikuar me autoritetet si dhe bashkëfajësi në shpërndarjen kriminale të imazheve me përmbajtje intime të fëmijëve.

Në Francë, vënia nën hetim formal nuk nënkupton fajësi ose domosdoshmërisht të rezultojë në një gjyq  por tregon se gjyqtarët konsiderojnë se ka mjaft çështje për të vazhduar një hetim.

Avokati i tij, David-Olivier Kaminski, tha se ishte absurde që klienti i tij mund të përfshihej në akte kriminale. Është e paprecedentë që pronari i një platforme të mediave sociale të arrestohet për shkak të mënyrës së përdorimit të kësaj platforme dhe ka nxitur një debat të ashpër në internet për lirinë e fjalës. Rusia ka bërë të ditur se pa një bazë serioze provash, akuzat mund të shiheshin si një akt frikësimi kundër një kompanie të madhe teknologjike për qëllime politike.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share