Shefi i OKB-së: Situata në Gazë është apokaliptike

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë të hënën se situata në Gazë është “apokaliptike” dhe ka paralajmëruar se kushtet me të cilat përballen palestinezët në atë territor, mund të përbëjnë “krimet me të rënda ndërkombëtare”.

Duke e lëshuar një deklaratë në konferencën në Kajro, me qëllim të rritjes së ndihmës humanitare, Guterres i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të “ndërtojë themelet për një paqe të qëndrueshme në Gazë, dhe përgjatë Lindjes së Mesme”.

Lufta në Gazë ka shpërthyer pas sulmeve të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në jug të Izraelit, në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 240 të tjerë.

“Kequshqyerja është në kulm. Sistemi shëndetësor është shembur”, ka thënë ai.

Shefi i OKB-së ka thënë se Gaza tani e ka “numrin më të madh të fëmijëve me gjymtyrë të amputuara”, dhe që “shumë prej fëmijëve po iu nënshtrohen operacioneve pa anestezion”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka qenë kritik edhe për kufizimet e ashpra në dërgim të ndihmës.

Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatë Palestinezë (UNRWA) vetëm 65 kamionë me ndihma në ditë kanë arritur të hyjnë në Gazë muajin e kaluar, në krahasim me rreth 500 para luftës.

Organizatat ndërkombëtare të ndihmës kanë përsëritur vazhdimisht se situata është alarmante dhe rrezikon të përkeqësohet edhe më shumë në Gazë, dhe që civilët po vuajnë më së shumti.

Disa përpjekje të Shteteve të Bashkuara dhe fuqive tjera për dhënie fund të kësaj lufte, kanë dështuar. /REL/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share