Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 20 nëntor do të qëndrojë në Kosovë.
Kështu është bërë e ditur nga zyra për media e NATO-s, raporton Klankosova.tv.
Më 20 nëntor, “Sekretari i Përgjithshëm do të vazhdojë udhëtimin e tij në Kosovë, ku do të ketë diskutime me zonjën Vjosa Osmani-Sandriu dhe zotëri Albin Kurtin”.
“Ai do të vizitojë edhe kampin e KFOR-it të NATO-s ‘Nothing Hill’, ku do të takojë komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ulutas, dhe do t’ju adresohet trupave”.
“Ai do të takojë edhe Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, Gjeneral Brigade, Hammerstein”, tha NATO-ja në njoftim.
Një konferencë e përbashkët për media do të mbahet pas takimit të Stoltenbergut me presidenten Osmani.
Stoltenberg do të nisë turneun në Ballkan më datën 19 nëntor, kur fillimisht do të vizitojë Bosnjë dhe Hercegovinën.
Atje shefi i NATO-s do të qëndrojë edhe më datën 20, ku do të zhvillojë takime me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, me përfaqësuesin e Lartë të OKB-së, Christian Schmidt, por edhe me kryesuesen e Këshillit të Ministrave të vendit, Borjana Krishto.
Stoltenberg do të vizitojë edhe bazën e NATO-s në Sarajevë ku do të takojë liderët ushtarakë dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar.
Të martën, më 21 nëntor, ai do të qëndrojë në Beograd ku do të takohet me presidentin e atjeshëm, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq.
Stoltenberg do të takohet edhe me shkencëtarë serbë “të cilët do të prezantojnë teknologjinë e zhvilluar në kontekst të projekteve të NATO-s Shkencë për Paqe dhe Siguri”.
Po ashtu, Stoltenberg po atë ditë më vonë do të qëndrojë edhe në Maqedoninë e Veriut, ku do të takojë krerët e institucioneve më të larta shtetërore.
Ndërkaq të mërkurën më 22 nëntor, Sekretari i Përgjithshëm do të marrë pjesë në një takim me liderët aleatë nga rajoni. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama; presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq; kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq; dhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, janë ftuar të marrin pjesë.